Lajme

“Mjekë për Shqipërinë”, Rama: Proces transparent

Kryeministri Edi Rama ka lançuar sot portalin “Mjekë për Shqipërinë”, i cili do të shërbejë si një dritare e re për të gjithë ata që përfundojnë studimet në fushën e mjekësisë.
Krahas fushave të ndryshme që nga arsimi, administrata, kryeministri është shprehur se sektori i shëndetësisë dhe kryesisht spitalet rajonale kanë vështirësi në sigurimin e specialistëve, e lidhur me këtë ai shprehet se portali i ri “Mjekë për Shqipërinë” është një shans dhe strategji për të gjitha ata që duan të shërbejnë në spitalet e vendit.
“Ky portal i ri është një instrument në dorën e gjithë tyre që me të drejtë kanë pasur shqetësimin e mungesës së informacionit, e mungesës së kanaleve të dedikuara dhe transparente për të kërkuar që të marrin një punë duke u angazhuar në sistem dhe e mungesës së një pasqyre, që mund të shihet se si funksioni sistemi nga brenda”, tha kryeministri.
Kreu i qeverisë, Edi Rama, i garantoi mjekët për transparencë nëpërmjet këtij portali dhe i ka ftuar mjekët e rinj që të aplikojnë.
“Nëse hapet një vend pune, strukturat përkatëse i drejtohen portalit në bazë të rankimit dhe shikon klasifikimin dhe nuk mund të marrë ata që janë më poshtë dhe të lë ata që janë më lart. Procesi kontrollohet dhe e sheh se dikush tjetër hyn pa radhë, por kjo nuk ndodh sepse sistemi lë gjurmë. Sot ka 112 vende vakante për mjekë specializantë dhe 79 për mjekë të përgjithshëm në spitale”, u shpreh kryeministri.
Kreu i qeverisë theksoi ndër të tjera se ka përfunduar koha kur mjekët dhe infermierët zgjidheshin nga partitë politike.
“Deri përpara disa vitesh listat e punësimeve për infermierët i bënin partitë politike dhe rekrutimin e infermierëve në punë, autoritete e bëni në bazë të propozimeve politike dhe nuk kishe shans të kalohej cakun pa propozimin e politikës, ndërsa sot jemi në një situatë katërçipërisht më mirë”, tha ndër të tjera Rama.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri premtoi edhe rritje të pagave të mjekëve dhe rikonstruktime të qendrave shëndetësore.
“Paga e mjekëve specializantë në rrethe është më e larta se pagat e mjekëve në Gjermani. Pagat e mjekëve do të rriten, por po rriten kapacitet për t’iu vënë në dispozicion mjekëve instrumente për të ushtruar profesionin e tyre. Qendrat shëndetësore ishin në ferr, po rikonstruktohen”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë