Bota po bëhet një vend gjithnjë e më i vështirë për ata që kërkojnë një jetë më të mirë në vendet e pasura. Emigrantët nuk janë të mirëpritur në shumicën e shteteve, edhe pse trendet demografike pasqyrojnë nevojën për zgjerimin e fuqisë punëtore në pothuasje të gjitha këto vende. Ndërkohë që Europa dhe Shtetet e Bashkuara do të duhet të përballen me nevojën për punëtorët më të rinj dhe parandalimin e plakjes së popullsisë, në dekadat e ardhshme, qytetarët e kombeve të pasura, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, nuk u pëlqen emigracioni masiv nga vendet e varfëra.
Europa u mbyll dyert emigrantëve
Në Europë emigracioni është kthyer në forcën kryesore lëvizëse për nacionalizmin, ngritjen e partive populiste dhe rrëzimin e liberalëve. Megithatë, ka disa përjashtime. Spanja, e cila ka pasur emigrim relativisht të ulët nga Afrika e Veriut, pranoi mbi 600 emigrantë nga një anije e bllokuar në det të hapur, pasi si Italia ashtu dhe Malta mbyllën portet. Irlanda ka qenë gjithashtu tejet mikëpristëse ndaj refugjatëve, ndërkohë që Skocia, e shqetësuar për plakjen e popullësisë dhe largimin e fuqisë punëtore, ka shpallur prej vitesh dëshirën për të mirëpritur disa nga emigrantët që mbërrijnë në Londër. Por pjesa tjetër e Europës, po shkon drejt përjashtimit të tyre.
Mëngjesin e së premtes, liderët europianë vendosën në një samit të tensionuar “blindimin” e kufijve të jashtëm të kontinentit dhe krijimin e disa kampeve, për strehimin e të gjithë refugjatëve në Mesdhe, përpara se të guxojnë të hyjnë në Europë. Gjermania, ekonomia kryesore e Europës, ndryshoi ashpër qendrim pas kërcënimit të Ministrin e saj të Brendshëm, Horst Seehofer, për të bllokuar në kufi të gjithë refugjatët që janë regjistruar tashmë në një vend tjetër të BE-së. Aleati më e afërt i Merkel, Presidenti francez Emmanuel Macron, ka ashpërsuar edhe më shumë qendrimin e tij mbi emigrantët duke i thënë Kryeministrit italian Giuseppe Conte se ata që kërkojnë azil duhet të strehohen në qendrat e ngritura jashtë Europës. Macron foli me tone humanitare duke thënë se nuk është e drejtë për ata që nuk kanë mundësi të marrin azil në Europë të vdesin në Mesdhe ose të jetojnë në kushte “të padenja”, por propozimi i tij nënkuptoi haptazi se Franca është në një mendje me Italinnë për ndalimin e hyrjes së anijeve me emigrantë.
Merkel është sfiduar jo vetëm nga Italia, qeveria e re e së cilës, e sheh këmbënguljen e saj për t’i mbajtur kufijtë e hapur si të patolerueshme, por edhe nga aleati i saj Macron, nga fqinji i saj austriak. Ky qëndrim i ashpër duket se iu bashkua atij të Europës Qendrore dhe Lindore, ku Republika Çeke, Hungaria, Polonia dhe Sllovakia, kanë refuzuar të pranojnë kuotat e emigrantëve të vendosura nga BE-ja. Në një ese të fuqishme, Branko Milanoviç, një ish-ekonomist i Bankës Botërore, argumenton se këto shtete, të çliruara nga komunizmi dhe kontrolli i Bashkimit Sovjetik (dhe para Moskës, nga Perandoria Austro-Hungareze), janë kundër emigracionit nën arsyetimin se refugjatët do të shkatërronin homogjenitetin e tyre etnik dhe lirinë kombëtare. Milanoviç shkruan se ” emigrantët, njerëz me kulturë dhe fe të ndryshme, shihen si një prurje e frikshme në sytë e vendasve”.
Në mendjet e shumë europianëve, emigrantët konsiderohen më shumë si “kërcënim” se sa si qënie njerëzore. Për kundërshtarët, të sapoardhurit përfaqësojnë disa njerëz që kërcënojnë të rrisin nivelet e krimit dhe përfitojnë nga shërbimet e paguara nga taksat e popullsisë vendase. Europianëve në veçanti nuk u pëlqen emigrimi i muslimanëve, duke pasur frikë se të sapoardhurit mund të përfshijnë militantë të ISIS-it, që planifikojnë sulme terroriste. Të sapoardhurit e kanë zakonisht të vështirë të gjejnë punë, të paguajnë vetë taksat e tyre dhe detyrohen të punojnë në vende pune që nuk janë aspak tërheqëse për vendasit si dhe të përballen me paragjykime të shumta. Në Francë, emigranti Mamoudou Gassama, mori nënshtetësinë vetëm pasi u ngjit në një ballkon për të shpëtuar një fëmijë katërvjeçar që ishte duke rënë.
SHBA-ja ndan fëmijët nga prindërit
Presidenti amerikan, Donald Trump është i sheh emigrantët tërësisht përmes prizmit të “kërcënimit”. Ai ka mbajtur gjithnjë një qendrim të ashpër, duke përdorur terma mjaft paragjykues ndaj emigrantëve që përpiqen të hyjnë në Shtetet e Bashkuara në mënytë të paligjshme. Zbatimi i një politike që çoi në ndarjen e fëmijëve nga familjet e tyre në kufirin amerikano-meksikan, u pa gjerësisht, madje brenda Partisë së tij, si një akt i neveritshëm. Fakti që Presidenti Donald Trump nënshkroi një urdhër që i jep fund kësaj politike, nuk do të thotë që mjerimi dhe keqtrajtimi i emigrantëve do të përfundojë.
Ajo që do të ndodhë më pas, nuk do ta ndryshojë faktin se të paktën 2,300 fëmijë pa dokumente janë marrë nga prindërit e tyre në kundërshtim me konventat e të drejtave të njeriut të miratuara ndërkombëtarisht. Imazhet e fëmijëve që qanin, përpara se Trump të nënshkruante të enjten urdhërin e tij ekzekutiv, ishin pasqyrimi i vërtetë i mizerisë së emigrantëve në mbarë botën. Presioni i botës së pasur nga ndaj të varfërve është bërë një nga strategjitë kryesore të viteve të fundit, por asnjë nga këto politika nuk do të funksionojë. Refugjatët nga Afrika dhe Lindja e Mesme, sidomos nga zonat e luftës, do të vazhdojnë të dergjen në BE. Udhëheqësit, liberalë dhe konservatorë, nuk do të kenë zgjedhje tjetër, përveçse të bashkohen me partinë populiste.
As demokracia europianë dhe as ajo amerikane nuk mund të mbijetojë nëse qytetarët nuk i rezistojmë tundimit për të demonizuar emigrantët. Këta fqinjë pa dokumente nuk janë të rrezikshëm. Ata janë të huaj të pambrojtur të cilët kanë çdo të drejtë të trajtohen me dinjitet, kujdes, drejtësi dhe respekt të barabartë. Ata kanë të drejtë të kërkojnë azil nga tmerret me të cilat ballafaqohen në vendet e tyre dhe Perëndimi ka një detyrë morale për t’i lehtësuar këtë vuajtje.
Burimet: “Reuters”, “The Atlantic”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.