Tashmë është vërtetuar fakti se të qëndruarit ulur për një kohë të gjatë lidhet drejtpërdrejt me rrezikun e problemeve të ndryshme shëndetësore si obeziteti, kolesteroli i lartë dhe sëmundjet kardiovaskulare.
Lajmi i mirë është se gjithnjë e më shumë studime tregojnë se ecja dhe matja e hapave çdo ditë mund të zvogëlojë rrezikun e sëmundjeve të tilla si psh sëmundjet e zemrës apo diabeti i tipit 2.
Megjithatë, deri më tani, nuk ka qenë e qartë se cili është numri optimal i hapave që njerëzit duhet të bëjnë, apo nëse ka një kufi të sipërm përtej të cilit përfitimet shëndetësore janë minimale.
Studimi i ri i realizuar nga studiuesit e Universitetit Mjekësor të Lodz-it në Poloni, tregon se vetëm 4000 hapa në ditë mund të zvogëlojnë rrezikun e vdekjes nga çdo shkak – edhe pse sa më shumë të ecni, aq më të mëdha janë përfitimet shëndetësore.
Studiuesit, të udhëhequr nga Maciej Banach, profesor i kardiologjisë në Universitetin Mjekësor të Lodz-it, përdorën të dhëna nga 17 studime të mëparshme që përfshinin 226,889 njerëz të cilët u ndoqën mesatarisht për shtatë vjet.
Studimi, i botuar në Gazetën Evropiane të Kardiologjisë, tregoi se rreziku i vdekjes filloi të ulet në 3,967 hapa në ditë, ndërsa 2,337 hapa në ditë reduktuan rrezikun e vdekjes nga sëmundjet kardiovaskulare.
Studiuesit zbuluan se për çdo 1000 hapa shtesë të ndërmarra në ditë, rreziku i vdekjes nga çdo shkak u ul me 15%.
Me çdo 500 hapa shtesë në ditë, rreziku i vdekjes nga shkaqe kardiovaskulare u ul me 7%.
“Studimi ynë konfirmon se sa më shumë të ecni, aq më mirë është. Ne zbuluam se kjo ishte e vërtetë si për burrat ashtu edhe për gratë, pavarësisht nga mosha dhe pavarësisht nëse jetoni në një rajon të butë, subtropikale ose subpolare të botës, ose një rajon me një përzierje klimash”, tha Banach.
“Për më tepër, analiza jonë tregon se duhen vetëm 4,000 hapa në ditë për të reduktuar ndjeshëm vdekjet nga çdo shkak, dhe akoma më pak për të reduktuar vdekjet nga sëmundjet kardiovaskulare”, vuri në dukje ai.
Për grupmoshat më të reja, përmirësimi më domethënës i shëndetit u pa tek njerëzit që bënin 7000 deri në 13000 hapa në ditë, ndërsa për ata të moshës 60 vjeç e lart, ishte midis 6000 dhe 10000 hapa.
Ekipi vlerësoi gjithashtu ndikimin e 20,000 hapave në ditë – ekuivalente me 14-16 kilometra për një person mesatar – dhe zbuloi se përfitimet shëndetësore vijuan të rriteshin.
“Ne nuk vërejtëm asnjë efekt ose rrezik në rënie në asnjë nga grupet që hetuam,” tha ekipi. Megjithatë, shkencëtarët paralajmëruan se të dhënat për njerëzit që bëjnë kaq shumë hapa në ditë mbeten të kufizuara dhe nevojiten studime të mëtejshme.
“Në një botë ku kemi ilaçe gjithnjë e më të avancuara që synojnë kushte specifike si sëmundjet kardiovaskulare, mendoj se duhet të theksojmë gjithmonë se ndryshimet e stilit të jetesës, duke përfshirë dietën dhe stërvitjen, mund të jenë të paktën po aq – ose më shumë – efektive në reduktimin e rrezikut kardiovaskular dhe zgjatjen e jetës”, theksoi Banach.
“Ne kemi ende nevojë për studime të mira për të hetuar nëse këto përfitime mund të ekzistojnë për lloje intensive ushtrimesh. Megjithatë, duket se, si me trajtimet farmakologjike, ne duhet gjithmonë të konsiderojë personalizimin e ndryshimeve të stilit të jetesës”, shtoi ai.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, aktiviteti fizik i pamjaftueshëm renditet shkaku i katërt kryesor i vdekjeve në botë, me 3.2 milionë vdekje në vit.
“Ky hulumtim na tregon se sa e mirë është ecja për ne. Nëse përfitimet e saj do të paketoheshin në formë pilule, do ta quanim një ilaç mrekullibërës”, tha profesor James Leiper, zëvendësdrejtor mjekësor në Fondacionin Britanik të Zemrës. Burimi; theguardian
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




