Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë ka publikuar të dhëna interesante lidhur me shkëmbin e Gramës në gadishullin e Karaburunit në Vlorë që është shpallur monument kulture i kategorisë së parë, nga Instituti i Shkencave në vitin 1948.
Në këtë gurore, faleza ka qenë shfrytëzuar në një lartësi prej 130 m dhe në një gjerësi prej 100 m. Mbas braktisjes së gurores, duke nisur nga shek. III para. Kr, në faqet e sheshta të krijuara nga prerja dhe heqja e blloqeve shkëmbore gdhenden lutje nga marinarët apo udhëtarët, që strehoheshin në këtë gji për t’iu shpëtuar stuhive.
Kjo traditë e gdhendjes së lutjeve ka vazhduar dhe përgjatë mesjetë, por tashmë ato i dedikohen kultit të krishterë, deri në shek. XIX. Mbishkrimet janë gdhendur në korniza. Shumica e mbishkrimeve antike në gjuhën greke u drejtohen Dioskurëve, Kastorit dhe Poluksit, që janë hyjni shpëtimtar, mbrojtës të detarëve.
Gjatë periudhës helenistike, gjiri ka shërbyer si një sanktuar i hapur kushtuar këtyre hyjnive. Në këto mbishkrime nuk mungojnë as emrat e figurave historike, siç është ai i Cnaeus Pompeius, i perandorit Bizantin Johanit V Paleologu apo dhe Mark Antonit.
Numri i mbishkrimeve mendohet të jetë rreth 1500 copë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.