Ne rrjet

Mision për të shuar ‘zjarret’ në Ballkan, Scholz viziton Shkupin e Sofjen

Vizita e kancelarit gjerman në Shkup dhe Sofje shënon përpjekjen e fundit për të thyer ngërçin mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Më 4 qershor 2022 një burrë i maskuar shkoi me biçikletë tek klubi kulturor bullgar, Vanço Mihailov në qytetin e Manastirit në Maqedoninë e Veriut dhe i vuri zjarrin derës. Edhe pse përveç derës në ndërtesë nuk pati shumë dëmtime, zjarri rindezi konfliktin e ashpër politik të marrëdhënieve maqedono-bullgare në vitet e fundit.

Edhe pse zjarrvënësi u arrestua shpejt, politikanët në të dy anët e kufirit e shfrytëzuan shpejt incidentin. Presidenti bullgar, Rumen Radev, tha se sulmi me zjarrvënie "ishte një tjetër provokim, pjesë e një fushate të gjatë antibullgare në Maqedoninë e Veriut". Qeveria e Maqedonisë së Veriut e dënoi incidentin. Megjithatë pati thirrje nga të paktën një parti opozitare dhe shumë individë në rrjetet sociale për protesta në mbështetje të zjarrvënësit.

Klubi bullgar mban emrin e Vanço Mihailovit, një revolucionar bullgar, i cili bashkëpunoi me nazistët në Luftën e Dytë Botërore. Hapja e këtij klubi rreth dy muaj më parë u promovua nga politikanët bullgarë si një veprim pajtues, por ndezi një stuhi zemërimi në Maqedoninë e Veriut. Presidenti Stevo Pendarovski e dënoi emrin e zgjedhur nga Sofja si një provokim që "nuk kontribuon në afrimin midis dy popujve".

Këto janë aspekte që kancelari gjerman Olaf Scholz duhet t'i ketë parasysh gjatë vizitës në Shkup dhe Sofje më 11 qershor 2022, në një përpjekje për të gjetur një kompromis që synon fillimin e negociatave të pranimit në Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut. Në sfondin e luftës agresore të Rusisë ndaj Ukrainës zgjerimi i BE-së është më i rëndësishëm se kurrë.

Probleme me fqinjët

Ish-ministri i Jashtëm maqedonas, Nikola Dimitrov e sheh vizitën e Scholz-it si një "kulmim të përpjekjeve diplomatike gjermane për të bërë një hap të rëndësishëm përpara jo vetëm për Ballkanin, por edhe për Ukrainën". "Ky problem”, tha Dimitrov për DW, "e bën BE-në të paaftë gjeo-politikisht në rajonin e saj”.

BE-ja është e prirur të demonstrojë aftësinë e saj për të ndërmjetësuar për problemet brenda fqinjësive evropianë dhe në të njëjtën kohë të parandalojë Rusinë, Kinën dhe lojtarët e tjerë rajonalë që të hyjnë në Ballkanin Perëndimor. Dy nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor - Serbia dhe Mali i Zi - janë tashmë në negociata për anëtarësimin e plotë në BE dhe Kosova dhe Bosnja dhe Hercegovina shpresojnë të bëhen kandidate. Ndërkohë, një veto bullgare ka bllokuar proceset e pranimit të Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë për dy vitet e fundit.

Ukraina ndërlikon anëtarësimin e Ballkanit në BE

Berlini e sheh zgjerimin e BE-së si një nga shtyllat kryesore të politikës së tij evropiane, gjë që është edhe pjesë e marrëveshjes së koalicionit të qeverisë. Por Scholz nuk është i vetëm në përpjekjet e tij diplomatike.

Më 6 qershor 2022, presidenti francez Emmanuel Macron telefonoi me homologët e tij në Maqedoninë e Veriut dhe Bullgari për të ofruar Parisin si vend për nënshkrimin e marrëveshjes dypalëshe "kur të vijë koha". Por koha është një luks që askush nuk e ka aktualisht. Parisi po bën presion për një zgjidhje deri në fund të qershorit 2022, kur përfundon presidenca franceze e BE-së.

Kërkesa e Ukrainës për anëtarësim në BE i ndërlikon më tej gjërat. Hapja e negociatave me Kievin në qershor 2022 përbën një problem për Brukselin, pasi disa vende të Ballkanit Perëndimor po presin me vite që anëtarësimi i tyre të konkretizohet.

Më 9 maj, i pyetur për kërkesën e Ukrainës për anëtarësim në BE, Scholz iu referua drejtpërdrejt kësaj situate gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Macronin në Berlin. Shumë prej tyre vendeve të Ballkanit kanë bërë tashmë përgatitje të gjera dhe kanë marrë vendime të guximshme. Prandaj një guxim i tillë duhet të shpërblehet, si p.sh. në rastin e Maqedonisë së Veriut, tha Scholz-i.

Jo kompromise jetëshkurtra dhe sipërfaqësore

Komisioni Evropian dhe shumica e vendeve anëtare të BE-së, përfshirë Gjermaninë, nuk duan të lejojnë që mosmarrëveshjet dypalëshe mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut të bëhen pjesë e kornizës negociuese, por janë të gatshëm të bëjnë kompromis, nëse Shkupi dhe Sofja gjejnë një lloj dakordimi për to.

Ish-ministri i Jashtëm maqedonas, Dimitrov paralajmëron se zgjidhje të tilla diplomatike vetëm do ta shtynin problemin duke e "lëvizur veton bullgare në kornizën e negociatave", duke i mundësuar Sofjes të bllokojë më tej Maqedoninë e Veriut gjatë negociatave të anëtarësimit. "Të gjithë duhet të jenë të kujdesshëm, sepse një hap i tillë mund të rezultojë lehtësisht si jetëshkurtër dhe sipërfaqësor."

Pse Scholzi nuk e viziton Sarajevën?

Ngadalë ai depërton përmes masave të qytetarëve të mbledhur në Bashçarshi të Sarajevës. Bën me dorë, bën foto me fëmijët, ua përkëdhel kokën. Mediat lokale thonë se atë e kanë pritur qindra qytetarë në zemër të Sarajevës. Është gushti i vitit 2021.

Presidenti turk Erdogan është padyshim i lumtur me vizitën e tij në Bosnjë-Hercegovinë. Nga viti 2010 e deri më sot, ai e ka vizituar këtë vend shtatë herë - si kryeministër apo si president. Dhe me kënaqësi e mirëpresin atje, siç tregojnë edhe regjistrimet televizive. "Bosnjë - Hercegovina ka një vend të veçantë në zemrat e popullit tonë", thotë presidenti turk gjatë vizitës.

E megjithë këto simpati, në Bosnjë - Hercegovinë askush nuk ëndërron për lëvizje masive drejt Turqisë, vendit të Erdoganit. Ata e preferojnë shumë më shpesh të ardhmen e tyre në një vend tjetër - në Gjermani.

Kancelarja shumëvjeçare e vendit, Angela Merkel, bëri një vizitë lamtumire në Ballkanin Perëndimor vetëm dy javë pas shëtitjes së Erdoganit nëpër Bashçarshi. Por ajo e anashkaloi Sarajevën dhe shkoi në Beograd.

Është e vërtetë që Merkel ishte iniciatore dhe një ndër mbështetëset më të forta të Procesit të Berlinit. Është gjithashtu e vërtetë se ajo dërgoi ish-ministrin e saj Christian Schmidt në postin e Përfaqësuesit të Lartë në Beosnjë - Hercegovinë, por është gjithashtu e vërtetë se gjatë 16 viteve sa ishte në postin e kancelares, ajo ka bërë vetëm një vizitë zyrtare në Sarajevë.

Momenti vendimtar për Ballkanin

Emërimi i Schmidtit si Përfaqësues i Lartë ishte një shenjë e angazhimit të shtuar të Gjermanisë në Bosnjë - Hercegovinë. Rrjedhimisht edhe pritjet janë të mëdha, sikur edhe shpresat. E këto shpresa u shtuan pas ardhjes së qeverisë së re në Berlin, në fund të vitit të kaluar. Por mesa duket, angazhimi i qeverisë gjermane do të kishte qenë shumë më i ngadalshëm dhe shumë deklarativ, po të mos kishte ndodhur 24 shkurti dhe agresioni rus në Ukrainë. Trupat ruse në Ukrainë ia kujtuan Berlinit dhe kryeqyteteve të tjera të BE-së rrezikun e një lufte tjetër të përgjakshme që - për ironi - filloi 30 vjet më parë dhe që nuk mbaroi kurrë. Por që u shndërrua në një konflikt të ngrirë të rrezikshëm.

Papritur në Berlin dhe në BE u kujtuan se, megjithëse Bosnje Hercegovina dhe Ballkani Perëndimor nuk janë vërtet të rëndësishëm për ta, këto vende janë ende aq të rëndësishme sa që nuk mund të lihen nën ndikimin e plotë rus. Dhe filloi angazhimi: Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, dy javë pas fillimit të pushtimit rus vizitoi vendet e Ballkanit Perëndimor. Stacioni i parë ishte më kompleksi - Sarajeva. Pasoi vizita e ministres së Mbrojtjes, Christine Lambrecht, fillimisht në Sarajevë e pastaj në vendet e tjera.

Disi, paralelisht me këtë, koalicioni qeverisës dërgoi një rezolutë për Bosnjë -Hercegovinën në procedurën parlamentare në Bundestag, e cila shkaktoi reagime të shumta në Bosnjë - Hercegovinë dhe vendet e tjera. Ajo shkaktoi mosmarrëveshje edhe në Kroaci, ku dy deputetë të Bundestagut me origjinë dhe emra ballkanikë, u prezantuan në media si simbol i koncepteve reciprokisht të kundërta me strukturën e Bosnjë -Hercegovinës. Ndërsa deputeti i SPD-së, Adis Ahmetoviq, ndër të tjera, mbrojti idenë se Milorad Dodik dhe Dragan Çoviq janë fajtorët kryesorë për pengimin e vendit në rrugën e përparimit. Kolegu i tij Josip Juratoviq, tha se në rezolutë bashkë me Dodikun dhe Çoviqin duhet të përmendet si fajtor edhe Bakir Izetbegoviqi.

Por rezoluta u dërgua në procedurë pa ndryshimet që kërkoi Juratoviqi. E burime diplomatike në Berlin thonë se ajo do të miratohet dhe do të jetë një dokument i rëndësishëm për të ardhmen e Sarajevës.

Pse Scholzi nuk viziton Sarajevën?

Vendimi i kancelarit Olaf Scholz për të mos vizituar BiH gjatë qëndrimit në Ballkanin Perëndimor nuk përshtatet me angazhimin e shtuar të Berlinit - të paktën në një nivel simbolik. Nëse Scholz mendon se duhet shmangur vizita përpara zgjedhjeve të përgjithshme në këtë vend, atëherë ky është gabim. Sepse Bosnjë - Hercegovina do të jetë një fushë e minuar për kancelarin edhe pas zgjedhjeve të tetorit.

Ndaj shtatë vjet pas qëndrimit të kancelares në Sarajevë, do të kishte qenë mirë që këtë vend sërish ta vizitojë një kancelar gjerman dhe të dërgojë një mesazh shumë të qartë në favor të një angazhimi për zgjidhjen e problemeve të vërteta në këtë vend. Nëse jo për shkak të Bosnjë - Hercegovinës, atëherë për shkak të situatës në shtëpinë e vet. Plani i vizitës do të duhej të ishte ky: fillimisht Zagrebi dhe Beogradi, e më pas edhe Sarajeva.

Përndryshe, askush në Berlin nuk do të ketë të drejtë të komentojë kur përshëndetjet e Erdoganit në Bashçarshi apo flamujtë rusë në Banjalukë, që për momentin është është shumë më e rrezikshme. Kancelari Scholz do të detyrohet të dëgjojë më pas fjalët: Führung, Herr Scholz (Duhet të drejtoni, z. Scholz)! Vetëm të mos bëhet tepër vonë. (DW)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë