Gazeta Si – Një furgon me mbishkrimin “Mirëmbajtja Rrugore” (në foto lart), është automjeti, ku është gjetur një sasi e madhe armësh në Tiranë një ditë më parë në zonën e “Myslym Shyrit”.
Armët e zjarrit ishin të fshehura në këtë mjet si kamuflim, ndërsa prej një muaji qëndronte i parkuar në zonë.
Mjeti është në emrin e 34-vjeçarit të arrestuar, Eugert Sino, i cili e kishte parkuar pranë banesës së tij. Ky i fundit ka deklaruar në polici se nuk kishte dijeni mbi armët dhe se nuk e ka idenë se kush mund t’i ketë futur në furgonin e tij.

Sipas burimeve, fillimisht është ndërhyrë nga policia rrugore, e cila i ka kërkuar që të lëvizte mjetin pasi bllokonte rrugën.
Më pas sapo kanë konstatuar armët, është bërë ndërhyrja, por mësohet se për rreth 1 muaj ky furgon ka qenë nën monitorim.
Burime praprake, thonë se i arrestuari ka lidhje me një personazh të kërkuar nga SPAK për vrasje dhe pastrim të parave nga trafiku i drogës, në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Sina dyshohet të jetë pjesë e grupit të Aurel Hoxhës, të cilit SPAK së fundi i sekuestroi 5 milionë euro pasuri, përfshirë lokalin “Monopol” po në rrugën “Myslym Shyri”.



Gjithnjë sipas burimeve, 34-vjeçari Sino, në letra ka qenë i punësuar si banakier i lokalit nga Aurel Hoxha, i shpallur në kërkim nga drejtësia hqiptare.
SPAK e akuzon Aurel Hoxhën se porositi vrasjen e Klevis Lleshit, një nga 5 burrat e vrarë të fisit Lleshi, pas një hasmërie që nisi prej vitit 2012 me vrasjen në Angli, të vëllait të tij.
2 persona të tjerë, të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, u shpallën në kërkim, por policia nuk i bën të ditur emrat e tyre, për shkak të hetimit. Të tjerë mendohet të jenë pjesë e këtij grupi, të cilët hetuesit po punojnë t’i identifikojnë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



