Menaxhim

Miratohet Skema Kombëtare, Krifca: 3.3 mld lekë për 9 masa mbështetëse

Teksa njoftoi miratimin e Skemës Kombëtare të mbështetjes, ministrja e bujqësisë Frida Krifca, tha se buxheti për bujqësinë dhe blegtorinë këtë vit është shtuar me 3.113 mld lekë.

Krifca tha se blegtoria do të jetë sektori prioritar i kësaj skeme.

“Mbështesim ferma me jo më pak se 10 lopë të matrikulluara me deri 10 mijë lekë/krerë dhe jo më shumë se 500 mijë lekë për subjekt, si dhe fermat me jo më pak se 100 dele ose dhi me deri 1200 lekë për krerë, por jo më shumë se 360 lekë për subjekt”, tha ajo.

Gjithashtu Krifca shtoi se të gjithë kultivuesit e perimeve në serra, rrushit dhe luleshtrydheve do të kenë një mbështetje direkte prej 400 mijë lekë për HA.

Lidhur me bletarinë, ajo tha se çdo zgjua do të mbështetet me 1000 lekë për ferma me jo më pak se 50 zgjoje dhe deri në 150 mijë lekë për subjekt.

“Nuk mund të linim jashtë skemës sonë sektorin e peshkimit ku mbështetja e drejtëpërdrejtë parashikon blerjen e motorëve të rinj, dhe agregateve të tjera dhe riparimin e anijeve deri në 50% të vlerës së blerjes jo më shumë se 20 milion lekë për subjekt”, deklaroi Krifca e cila njoftoi se do të vijojë edhe këtë vit skema e naftës falas për fermerët.

“Rreth 1.4 miliard lekë do të përdoren për të lehtësuar fermerët nga kosto që i peshon më shumë në aktivitetin e tyre atë të karburantit” tha ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë