Senati italian ka miratuar me 129 vota pro dhe asnjë kundër marrëveshjen për pensionet me Shqipërinë, prej së cilës përfitojnë si shtetasit shqiptarë që jetojnë në Itali, ashtu edhe shtetasit italianë që jetojnë në Shqipëri.
Nga kjo marrëveshje përfitojnë rreth 500 mijë qytetarë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në shtetin fqinj dhe rreth 4 mijë italianë që kanë leje qëndrimi në Shqipëri, përpos atyre që kanë biznese.
Kështu bazuar në marrëveshje, shtetasit shqiptarë që jetojnë në Itali apo italianët që janë në Shqipëri përfitojnë për pension invaliditeti, pleqërie dhe familjar të punonjësve të punësuar, trajtimin e posaçëm të punonjësve të vetëpunësuar si artizanë, tregtarë, fermerë dhe sigurimin për përfitimin për sëmundjet, ku përfshihen edhe tuberkulozi dhe shtatzënia, sigurimin e papunësisë.
Me hyrjen në fuqi të marrëveshjes, personat që janë në prag pensioni duhet të aplikojnë pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore respektiv (shqiptarët në Itali dhe italianët në Shqipëri), duke bërë të mundur marrjen e dy pensioneve, sipas viteve të punës që kanë paguar kontributet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.