Fondi Monetar Ndërkombëtar(FMN) gjatë takimeve në Washington ka vlerësuar qasjen rregullatore të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare lidhur me miratimin e ligjit për kriptomonedhat.
Ekspertët e FMN-së u ndalën tek rasti i Shqipërisë, si një nga vendet që ka miratuar një kuadër ligjor për asetet virtuale dhe ka qenë përfitues i asistencës teknike të FMN-së në këtë fushë.
Në sesionin me titull “Paraja Digjitale – Zhvillimi i Kapaciteteve për Ndërtimin e një Cikli Virtuoz”, ata vlerësuan përgatitjen e stafit të AMF-së përgjatë kohëzgjatjes së projektit të asistencës.
“Vitin e kaluar kemi ndërmarrë një mision të asistencës teknike për zhvillimin e kapaciteteve në Shqipëri. Ai kishte fokus zbatimin efektiv të kuadrit ligjor në lidhje me kripto-asetet. Kemi bashkëpunuar ngushtësisht me AMF-në si përfitues kryesor. Ekspertiza e FMN-së u fokusua në sfidat kryesore potenciale dhe implikimet në praktikë që mund të sjellë zbatimi i Ligjit ‘Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë’, me fokus të veçantë procesin e licencimit dhe disa aspekte të mbikëqyrjes financiare.”
Në përfundim, misioni i ekspertëve të FMN-së vërejti se aktivitetet e lidhura me kripto-asetet në Shqipëri janë relativisht të ulëta në dukje, ndërkohë që miratimi i një kuadri ligjor mund të ndihmojë në legjitimimin e këtyre veprimtarive.
Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore janë duke zhvilluar Takimet e Pranverës në Washington, nga datat 18-24 Prill.
Në këto mbledhje marrin pjesë çdo vit, Ministrat e Financave të vendeve anëtare, guvernatorë të bankave qendrore, drejtues të lartë të institucioneve financiare ndërkombëtare, përfaqësues nga organizata të shoqërisë civile dhe akademikë për të diskutuar çështje me rëndësi globale, përfshirë perspektivën ekonomike botërore, zhdukjen e varfërisë, zhvillimin ekonomik dhe efektivitetin e asistencës së ofruar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



