Arsim

Ministrja premton se s’do mbyllet asnjë program, universitetet e rretheve: Do rishikojmë vazhdimësinë e disa prej tyre

Nga Gazeta Si - Më pak regjistrime edhe këtë vit vijojnë të kenë degët e gjuhëve të huaj si dhe ato të mësuesisë, pavarësisht se ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu nga Politekniku tha se ato nuk rrezikojnë të mbyllen.

“Jo, nuk rrezikojnë degë të mbyllen, kemi rijetëzim të degëve nga viti në vit, mbyllen disa, të tjera hapen”, tha Manastirliu.

Por situata duket ndryshe në universitete, ku vetë rektorët shprehen se do të kenë mbledhje të senateve për të vendosur për degë që prej vitesh tashmë nuk preferohen nga studentët.

“Më pak studentë kanë programet që lidhen me një master të mësimdhënies. Matematikat janë në shifra të ulëta, një pakicë te Frëngjishtja. Dega e Ekonomiks është e sigurt që mbyllet sepse sipas ligjit kur disa vite ka zero regjistrime, i takon senatit akademik të marrë vendim. Nesër do të mblidhet senati. Ka programe që janë me nga pak studentë, për këto do të merret një vendim se si do të veprohet me to”, tha rektori Lorenc Ekonomi.

Ndërkohë, edhe në Universitetin e Shkodrës ka degë që kanë pasur numër të ulët regjistrimesh, me fizikën me vetëm 1 regjistrim.

Rektori Tonin Gjuraj tha se gjithashtu nesër do të mblidhet senati për të vendosur se çfarë do të bëhet me degët nuk preferohen tashmë nga studentët.

Në Gjirokastër duan të studiojnë nga Afrika dhe Azia

Në Gjirokastër, Universiteti “Eqrem Çabej” ndërsa thith çdo vit e më pak studentë vendas, këtë vit akademik ka risi numrin e lartë të kërkesave që vijnë nga kontinente të largëta si Afrika apo Azia për të studiuar në këtë universitet.

“Ka mjaft kërkesa nga vendet e treta sic janë Afrika dhe Azia e largët të cilët kërkojnë më ngulm që të bëhen pjesë e universitetit tonë. Për këtë ne kemi ende pengesa ligjore pasi ligji u kërkon që të pajisen me vizë qëndrimi për të vijuar më tej me studimet”, tha rektori Jaho Cana.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë