Nga Gazeta Si – Deri në 2025, në vend do shtohen 15 spitale dhe 60 qendra shëndetësore, sipas Ministres së Shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale, Albana Koçiu.
Në fjalën e saj, ministrja Koçiu deklaroi sot zgjerimin e autonomisë spitalore për të tjera struktura spitalore në vendin tonë, pas modelit të parë nisur me Spitalin Memorial Rajonal të Fierit.
“Janë krijuar më në fund kushtet për të vënë në zbatim të gjerë modelin e administrimit të provuar me sukses në Spitalin “Memorial” të Fierit, i cili është një model i parë i zbatimit të autonomisë spitalore. Jemi gati të zgjerojmë këtë model edhe në QSUT, Spitalin e Shkodrës, Spitalin e Durrësit dhe atë të Vlorës. Qëllimi ynë është që deri në vitin 2027 të kemi 17 struktura spitalore tërësisht autonome”, deklaroi Koçiu.
Ministrja informoi hapjen e kantiereve të reja ndërtimi për të përmirësuar më tej infrastrukturën shëndetësore.
“20 spitale dhe 340 qendra shëndetësore është bilanci i deritanishëm. Deri në 2025, i shtojmë kësaj liste 15 spitale dhe 60 qendra shëndetësore më shumë”, deklaroi Koçiu.
Ministrja Koçiu deklaroi nga Kongresi i PS-së se riintegrimi social-ekonomik i familjeve përfituese të ndihmës ekonomike vijon të jetë objektivi kryesor”.
“Në familjen tonë nuk ka persona me aftësi të kufizuara, por ka persona me aftësi ndryshe, të cilët meritojnë të dëgjohen dhe integrohen plotësisht në shoqërinë tonë”.
Qëllimi ynë, tha ajo, është të rrisim punësimin dhe integrimin e tyre në shoqëri me të paktën 30%.
Gjithashtu, Koçiu tha se synimi është të shtohen edhe 70 shërbime të reja sociale në të gjithë vendin”, deklaroi Koçiu.
Ministrja është ndalur edhe tek rritja e shërbimeve digjitale në sektorin e shëndetësisë, ku theksoi se “do të fuqizojmë sistemet tona dixhitale, telemjekësinë, si një mënyrë për të rritur aksesin në marrjen e shërbimit më të mirë kudo në territor”.
Një pikë e rëndësishme për MSHMS-në është edhe turizmi shëndetësor për të cilin ministrja Koçiu tha se “do të mbështesim më tej zhvillimin dhe përfshirjen e një modeli ekselent të këtij sektori në sistemin tonë publik”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




