Nga Gazeta ‘SI’ – Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj i ka bërë thirrje Tatimeve për të lehtësuar shërbime dhe minimizuar burokracitë.
Ibrahimaj zhvilloi një takim me drejtues të administratës tatimore teksa theksoi se rregullat e shumta institucionale kufizojnë biznesin dhe ulin investimet
“Qëllimi është i qartë, shkurtimi i kohës për marrjen e përgjigjes, më pak shkresa dhe më pak procedura burokratike me autoritetet tatimore. Rregulla të shumta për biznesin mund të pengojnë sipërmarrjen dhe të ulin investimet, prandaj derregullimi konsiderohet një reformë e rëndësishme për përmirësimin e klimës së investimeve dhe treguesit e Raportit ‘Doing business’. Derregullimi i referohet ndryshimeve që përmirësojnë cilësinë rregullatore për të rritur performancën ekonomike, efektivitetin e kostos, apo cilësinë ligjore të rregullave dhe formaliteteve përkatëse institucionale” theksoi ministrja Ibrahimaj, dikur drejtuese e Tatimeve.
Një raport i pak muajve më parë nga KLSH theksonte se administrata Tatimore ka ngërce të mëdha në infrastrukturën digjitale dhe burimet njerëzore, që çon në zvarritjen e shërbimeve publike. Pak javë më herët, një problem në sistemin e Tatimeve preku rreth 20 mijë profesionistë të lirë, duke i atribuuar atyre detyrime shumë të larta fiskale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.