Menaxhim

Ministritë, 10 mln euro dëm nga shkeljet. Ministria e Brendshme me performancën më të mirë

Nga Auditi i Performancës së qeverisë për ministritë e linjës gjatë vitit 2020, Ministria e Brendshme renditet me performancën më të mirë dhe Ministria e Jashtme më dobët.

Vlerësimi maksimal është në 72 pikë, nga të cilat MB-ja mori 63 pikë. Në vend të dytë renditet Ministria e Financave me 61 pikë, në vend të tretë Ministria e Infrastrukturës me 57 pikë.

Ministria e Jashtme u vlerësua me 39.5 pikë. Ministria e Shëndetësisë u rendit e dyta për vlerësimin më të keq me vetëm 49 pikë dhe Ministria e Kulturës me vetëm 53 pikë.

Vlerësimet e performancës së ministrive bëhen duke marrë në konsideratë realizimin e shpenzimeve buxhetore, dërgimin e faturave në kohë në Thesar, hartimin e planeve të veprimit, dërgimin në thesar të faturave të detyrimeve të prapambetura, dërgimi në kohë i kontratave në Thesar, numri i urdhër prokurimeve të paautorizuara etj.

Nga njësitë, Garda e Republikës, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Drejtoria  e Përgjithshme e Tatimeve patën performancën më të mirë me veprimet në Thesar përgjatë 2020-s, me 63, 57 dhe 55 respektivisht.

Autoriteti Rrugor Shqiptar mori renditjen më të ulët për veprimet me Thesarin në vitin 2020 me 39 pikë gjithsej nga 72 të tilla dhe më pas Drejtoria e Përgjithshme e Doganave me vetëm 45 pikë dhe Agjencia e Kombëtare e Ujësjellësve me 57.5 pikë.

Gjatë vitit 2020 u kryen vetëm 926 auditime kundrejt 1.070 të planifikuara ose 87% të planit vjetor si rrjedhojë e kufizimeve që krijoi pandemia. Nga auditimet u identifikuan 9.238 shkelje, devijime dhe dobësi në sistemet e prokurimit publik, menaxhimit të aseteve, sistemi i tatim-taksave, regjimin doganor, administrimi i pronës publike, legalizimet dhe privatizimet e pronës shtetërore, koncesionet dhe Partneriteti Publik Privat si dhe sisteme te menaxhimit të burimeve njerëzore me një vlerë dëmi rreth 10 mln euro.

Drejtoria e Përgjithshme e Kontrollit Financiar në Ministrinë e Financave ka lëshuar disa rekomandime ndaj ministrive me të cilat kërkon përmirësimin e sistemeve që lidhen me hartimin e regjistrit të aseteve, hartimin e regjistrit të rreziqeve, hartimin dhe miratimin e gjurmëve të auditimit për proceset e punës, rritjen e cilësisë së planifikimit dhe zbatimit të buxhetit të shtetit, ruajtjen e aseteve, etj.

Në auditimet e ushtruara gjatë vitit 2020 janë dhënë 7.940 rekomandime për përmirësim sistemi, ndryshime të kuadrit rregullator dhe masa organizative dhe të qeverisjes dhe janë pranuar 7.889 rekomandime, nga të cilat 4.137 janë zbatuar plotësisht dhe 2.957 janë në proces zbatimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë