Shendet

Ministria e Shëndetësisë: Në Shqipëri nuk ka asnjë operator të certifikuar për tregtinë e Botox

Nga Gazeta 'SI' - E gjithë masa e produktit të Botox-it i përdorur në Shqipëri ka hyrë ilegalisht, pasi ligjërisht nuk ka asnjë operator të certifikuar për importimin, tregtimin dhe përdorimin e saj,

Në një komunikim zyrtar për Gazetasi.al Agjencia Kombëtare e Barnave deklaron se nuk ka pasur asnjë kërkesë për përdorimin e këtij produkti dhe rrjedhimisht nuk është lëshuar asnjë leje apo pullë.

“Botulinum Toxin nuk ka bar të Autorizuar për Tregtim në Republikën e Shqipërisë pasi nuk ka patur kërkesa për regjistrimin e tij nga ana e Mbajtësve të Autorizimit për Tregtim. Për rrjedhojë, për këtë bar, Agjencia nuk ka lëshuar leje importi/ zhdoganimi/ leje përdorimi apo pulla kontrolli për asnjë subjekt farmaceutik”, shkruan në deklaratën për Gazetasi.al, Agjencia.

Sipas burimeve nga tregu farmaceutik për Gazetasi.al, ngërç për marrjen e lejes së përdorimit apo tregtimit është mungesa e një kontrate me një nga prodhuesit e huaj të lëndës së Botox. Si rrjedhojë kërkesa për një leje të përdorimit të kësaj lënde nuk mund të pranohet.

Operacioni i pak ditëve më parë ku Policia zbuloi sasi të kontrabanduar Botox-i rihapi një debat publik për cilësinë dhe sigurinë e aplikimit të ndërhyrjeve estetike. Disa nga administratorët e klinikave, u arrestuan, si furnitorë dhe kontrabandues të Botox, ndërsa jeku i njohur Skerdi Faria u shpall në kërkim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë