Lajme

Ministria e Kulturës: Lahuta jo serbe, i takon të gjithë Europës Juglindore

Instrumenti i lahutës ka marrë mbrojtjen e UNESCO-s, që e ka njohur si trashëgimi kulturore. Befasia, ajo që ndezi edhe debatet ndër shqiptarë ishte vendi i origjinës. Në takimin e muajit nëntor, organizata për shkencë dhe kulturë e Kombeve të Bashkuara ka regjistruar nominimin |Të kënduarit në shoqërimin e Gusle” (instrumenti që në shqip quhet lahuta) prezantuar nga Serbia, në listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit.
Pas diskutimeve të zjarrta mbi origjinën e këtij instrumenti të lashtë dhe nëse i takon vendit fqinj apo Shqiëprisë, ka reaguar Ministria e Kulturës, duke sqaruar në një njoftim për shtyp se Komiteti Ndërqeveritar për Ruajtjen e Pasurisë Jomateriale të UNESCO-s “ nuk është shprehur, siç cilësohet gabimisht në disa media, se “lahuta nuk është shqiptare, por serbe”.
Ministria e Kulturës, ashtu sikurse u theksua edhe në këtë mbledhje nga delegacioni i Shqipërisë, vë sërish në dukje se praktika kulturore e “Të kënduarit me lahutë” është historikisht e pranishme dhe është një praktikë kulturore e gjallë në një zonë shumë të gjerë të Evropës Juglindore, jo vetëm në Shqipëri, Kosovë, por edhe në Mal të Zi, në Bosnje-Hercegovinë, Kroaci, etj.
Të kënduarit me lahutë, vijon më tej njoftimi i ministrisë, është nga ato raste kur mund të zbatohet propozimi shumëkombësh, bazuar në faktin se ato vende ndajnë praktikën kulturore në fjalë si një traditë historike dhe dukuri kulturore të gjallë, dhe asnjë vend nuk përjashton tjetrin.
Megjithatë, duket se Serbia është treguar më e shpejtë në përgatitjen e dokumentacionit dhe dosjes për të propozuar guslen e tyre – apo lahutën e shqiptarëve – si pasuri kulturore, pa u konsultuar më parë me vendet fqinje, që ndajnë po të njëjtën trashëgimi të këtij instrumenti, që thuhet se i ka rrënjët në Persinë e lashtë.


“Të kënduarit në shoqërimin e gusles” është një art i lashtë i performimit të eposeve heroike të praktikuara për shekuj si formë e memories historike dhe shprehje e identitetit kulturor, shkruhet në faqen zyrtare të UNESCO-s, në përshkrimin e kësaj trashëgimie të re jomateriale të botës, në propozimin e marrë prej Muzeut Etnografik të Beogradit. Performancat përfshijnë një formë komplekse ndërveprimi mes audiencës dhe performuesit dhe janë të bazuara në aftësitë dhe krijimtarisë e solistëve, guslarëve, aftësia e tyre për të dramatizuar përmbajtjen poetike, gjuha e trupit dhe karizma janë kyçe për performanca të suksesshme. Repertori përfshin këngë dominuese të heronjve mitologjikë dhe historikë, ngjarje nga e shkuara legjendare, hitia e lashtë apo e kohëve të fundit, dhe më rrallë balada apo këngë humoristike. Duke mbuluar një gamë të gjerë çështjesh, këngët pasqyrojnë sistemin e vlerave të komunitetit dhe karakteristikat ndërvepruese që strehon ndjenja e bashkësisë. Guslarët më modernë i mësojnë aftësitë e të kënduarit dhe performuarit nga instrumentistët me më shumë përvojë në nevojë, komunitet apo shoqata, gjithashtu transmetohen në shkollat publike të muzikës. Organizatat lokale mblidhen Unionit të Guslarëve të Serbisë, përpjekjet e të cilëve kanë rezultuar  në caktimin e një Festivali të Guslarëve të rinj dhe Asamblenë e Guslarëve të rinj të Serbisë.


Ministria e Kulturës së Shqipërisë, ka bërë gjithashtu me dije, se është tashmë në kontakt zyrtar me Ministrinë e Kulturës së Malit të Zi për të vijuar me vullnet të përbashkët procedurën për zgjerim të pjesëmarrjes në këtë regjistrim edhe të Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të Europës Juglindore, që kanë dëshirë t’i bashkohen këtij procesi për këtë aset kulturor specifik.
Aktualisht Shqipëria është në fazën përfundimtare të procesit të regjistrimit të dosjes së pasurisë kulturore dhe natyrore të pjesës shqiptare të Liqenit të Ohrit, në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, ndërkohë që kanë proces përgatitjen propozimeve për regjistrim në listat përkatëse disa pasuri të tjera materiale dhe jo materiale, siç është Parku arkeologjik i Apolonisë.
Në këtë sesion të 13-të, të zhvilluar në muajin nëntor, është miratuar kërkesa e Shqipërisë për asistencë ndërkombëtare për projektin e krijimit të Inventarit Kombëtar të Pasurive kulturore jomateriale që do të krijojë një bazë të dhënash në nivel rajonal dhe kombëtare për këtë kategori.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë