Nga Gazeta ‘Si’- Ministria e Jashtme ka reaguar pas pretendimeve të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, lidhur me një letër të dërguar nga ministri Igli Hasani institucioneve ndërkombëtare që ndoqën procesin zgjedhor të 11 majit 2025.
Në një deklaratë zyrtare, MEPJ sqaron se “nuk bëhet fjalë për ndërhyrje në punën e Misionit të vëzhguesve të ODIHR, dhe aq më pak për ushtrim presioni ndaj tyre.”
Ministria thekson se është praktikë standarde në çdo proces zgjedhor që autoritetet shtetërore të shtetit pritës të përcjellin sqarime dhe kontekst shtesë mbi gjetjet e raportit paraprak të vëzhguesve.
“Sqarimet janë dërguar për t’u konsideruar në përpilimin e raportit përfundimtar, bazuar në fakte dhe prova. Marrja në konsideratë e tyre është në diskrecion të plotë të Misionit të ODIHR-it,” thuhet në reagim.
Ministria gjithashtu kujton se edhe vetë ODIHR ka deklaruar më herët se nuk është ndjerë nën presion dhe se nuk ka patur përpjekje për të ndikuar punën e tyre.
Reagimi vjen pas publikimit të një letre nga Berisha, që sipas tij, përbën “presion të drejtpërdrejtë” ndaj vëzhguesve për të ndryshuar përmbajtjen e raportit të zgjedhjeve të 11 majit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




