Nga Gazeta ‘SI’ – Ministria e Financave dhe Ekonomisë nuk ia ka dalë të monitorojë pjesën më të madhe të kontratave me koncesion/PPP që janë nënshkruar në Shqipëri. Nga 228 të tilla, MFE ka monitoruar vetëm 65 dhe kjo sepse ”procesi i monitorimit është ende në fillimet e tij, numri dhe kompleksiteti i kontratave të koncesionit/PPP të lidhura është i lartë”, thuhet në raportin vjetor.
Ministria shton dhe se ajo ka hasur vështirësi edhe për shkak të mungesës së një Njësie Zbatimi sipas kontratave që monitoron dhe mbledh informacione për to.
“Jo çdo kontratë ka të përcaktuar Njësi Zbatimi Projekti përgjegjëse për monitorimin e saj, mbledhja e informacionit ka hasur vazhdimisht vështirësi dhe për rrjedhojë ky raport do të përcjellë informacion për 65 kontrata koncesioni/PPP”, -thuhet në dokumentin e Raportit të Koncesioneve 2021.
Ministria liston 11 risqe që paraqiten nga kontratat koncesionare, nisur nga ai i i projektimit dhe ndërtimit, kostot e vonesës së marrjes/dhënies së lejeve apo licencave, mospërmbushja e objektivave për të ardhurat, mosofrimi i shërbimeve, luhatjet e kursit të këmbimit apo interesat, fatkeqësitë natyrore, risku nga vendimet politike, ndryshimeve ligjore etj.
Sektori që ka peshën më të madhe të kontratave në numër dhe në vlerë është sektori i energjisë me 186 kontrata nga të cilat 3 janë zgjidhur dhe kanë një vlerë totale prej 415.2 miliardë Lekësh. Sektori i dytë me peshë më të madhe është sektori i transportit, me 20 kontrata gjithsej me vlerë totale 100.6 miliardë Lekë. Ndërkohë sektori i mjedisit ka në total 6 kontrata me vlerë 25.8 miliardë Lekësh të cilat konsistojnë në ngritjen e sistemit të përpunimit të mbetjeve, menaxhimin e pyjeve, si dhe shfrytëzimin e burimeve ujore.
Në sektorin e shëndetësisë, në total janë miratuar 4 kontrata koncesionare/PPP me vlerë prej 4.2 miliardë Lekësh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



