Nga Gazeta ‘SI’ – Komisioni i Ligjeve ka miratuar propozimin e deputetit Erion Braçes për njehsimin e TVSH-së në bujqësi.
Deputeti Braçe kërkon ndërhyrjen në ligjin aktual ku të unifikohet ribursimi i TVSH-së për blerje dhe zbritja për prodhimin vendas e të importit. Propozimi i tij u mbështet nga Ministria e Bujqësisë, por jo e Financave.
Përfaqësuesit e Ministrisë së Financave u shprehën të gatshëm për rishikimin e skemës së TVSH-së, por kundër propozimit konkret të Braçes, pasi sipas tyre është duke u hartuar legjislacioni i ri me ndihmën e partnerëve europianë.
Qëndrimi i MF u kritikua nga vetë deputeti socialist i cili tha se skema e qeverisë favorizon importin.
“Unë dyshoj për favorizim të importit dhe jo të vendit. Mirë do ishte ta lexonit nismën. Unë nuk kërkoj kompensim të fermerëve. Ju s’keni skemë kompensimi në fuqi, është zero! Keni vetëm të naftës e fidanëve. Skema juaj ka rënë që në 2021-shin kur evndosët 0% kompensim për fermerët. Kjo nismë nuk është e imja, është e prodhuesve të fushës, komuniteteve të fshatrave. Po ju thonë qartë ata ‘po na hetuan shkojmë në burg, se po na hani lekët ju me skemën që keni bërë’”, u shpreh Braçe duke shtuar se ka shumë vite që është lënë në pritje ndryshimi për këtë skemë.
Edhe deputetët e tjerë socialistë u dakordësuan me propozimin e Erion Braçes.
Propozimi i tij u rikthye në komision pasi KAS hodhi poshtë kërkesën e KQZ-së për të mosmiratuar këtë draft, pasi mund të ndikojë në elektorat, pak javë para zgjedhjeve të 11 majit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.