Politike

Ministri Vengu: Shqipëria në shënjestër nga Rusia dhe Irani. Dezinformimi kërcënim real, nevojitet kundërpërgjigje institucionale

Nga Gazeta Si- “Shqipëria është bërë objektiv i propagandës keqdashëse dhe përçarëse kryesisht nga Rusia dhe Irani”. Kështu u shpreh ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu në komisionin e “Dezinformimit”, ku kishte seancë dëgjimore lidhur me strategjitë që Ministria e Mbrojtjes do të ndjekë për të eleminuar dezinfromacionin dhe propagandën.

Ministri Vengu tha se dezinformimi dhe propaganda janë pjesë reale e informacioneve virale në vendin tonë dhe në botë. Për këtë, Ministria e Mbrojtjes po shqyrton të krijojë një strategji për të luftuar këtë fenomen duke krijuar struktura që identifikojnë burimet e dezinformacionit dhe kundërpërgjigjja me informacione të sakta.

Duke përmendur disa raste të dezinformimit nga Rusia dhe Irani në vendin tonë, Vengu tha se këto manipulime nga vende të treta ndikojnë në sigurinë e vendit por dhe në përçarjen e shoqërive.

“Dezinformimi perceptohet si kërcënimi i largët por faktet tregojnë se edhe Shqipëria është e kërcënuar nga ky fenomen, nga influenca malinje nga vende të treta jashtë NATO-s dhe BE dhe propaganda e financuar nga vende të caktuara.  Manipulimi i informacionit nga vende të huaja që përfshijnë dezinformimin dhe propagandën është një kërcenim ndërkombëtar i sigurisë që krijon përçarje brenda dhe midis vendeve, rrezikon integritetin e zgjedhjeve dhe minon besimin e njerëzve. Cunami i informacione që lëshohen sot virtualisht krijon një shoqëri që drejtohet nga informacioni dhe shpesh pa dijeni bëhemi konsumatorë dhe përhapës të dezinformimit”, tha Vengu, duke shtuar se tashmë kemi një ekosistem botëror informacioni të çrregulluar dhe në këtë situatë propaganda ka padyshim një terren shumë të volitshme për t’u përhapur.

Shqipëria është bërë objektiv i propagandës keqdashëse dhe përçarëse kryesisht nga Rusia dhe Irani dhe përballë këtyre kërcënimeve duhet një kundërpërgjigje institucionale me informacione te qarta dhe të sigurta, u shpreh Vengu.

Vengu solli edhe shembuj konkretë të ndërhyrjes së shteteve të huaja në Shqipëri.

"Në muajin janar të vitit 2020, udhëheqësi i Iranit, Ajatollah Khomeini, iu referua Shqipërisë si një vend i vogël dhe djallëzor europian, një element i Amerikës me disa iranianë mercenarë që kanë shitur atdheun e tyre”, tha Vengu.

Në gjykimin tonë, vijon Vengu, duhet të rrisim burimet për të identifikuar burimet dezinformuese në koordinim me partneret dhe të kundërpërgjigjemi me informim të saktë të shoqërisë.

"Tashmë jemi në kushtet ku kërkohet ndërhyrja e inteligjencës artificiale për filtrimin dhe diskreditimin të elementëve dizinformues. Në gjykimin tonë si Ministri e Mbrojtjes ne duhet të përpiqemi të bëjmë një kombinim të të dyjave”, tha Vengu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë