Nga Gazeta ‘Si’- Duke komentuar vendimin e Kosovës për largimin nga përdorimi të dinarit serb, zëvendëskryeministri, njëherësh ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviç, tha se Serbia nuk ka zgjidhje tjetër përpos që të luftojë në mënyrë politike dhe diplomatike për, siç u shpreh ai, mbijetesën e serbëve në Kosovë.
“Gjithçka tjetër, pos dialogut diplomatik dhe politik dhe zgjidhjeve përmes aktiviteteve të këtij lloji na çojnë drejt asaj që nuk do të donim të shihnim”, tha Vuçeviç më 1 shkurt gjatë një prononcimi për Radio Televizionin e Serbisë.
Më 1 shkurt, në Kosovë ka hyrë në fuqi zbatimi i rregullores së Bankës Qendrore për operacione me para të gatshme, që parashikon përdorimin vetëm të euros për pagesa, duke i dhënë fund përdorimit të dinarit serb, që përdoret nga serbët lokalë në Kosovë për pagesa, por ata marrin edhe pensione dhe shtesa nga buxheti i Serbisë në dinarë.
Vuçeviç vlerësoi se ky vendim “është një sulm ndaj sigurisë ekonomike” të serbëve në Kosovë dhe se sipas tij, po krijohen “kushte të pamundshme” për mbijetesën e tyre.
Ai po ashtu tha se Serbia mbetet e përkushtuar për dialogun për normalizimin e raporteve me Kosovës, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.
“Është interesi ynë kombëtar për të ruajtur paqen”, tha Vuçeviç, i cili po ashtu theksoi se rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi nuk ka të bëjë me “problemet në Kosovë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.