Nga Gazeta ‘SI’ – Ministri i Financave, Petrit Malaj në një konferencë për mediat shpjegoi se mbështetja mujore e pensionistëve do të jetë e përkohëshme, deri në realizimin final të një skeme të re për pensionet.
Duke treguar se qeveria po punon për ristrukturimin e skemës, Malaj tha se deri sa propozimet konkrete të jenë gati do të vazhdojë bonusi mujor.
“Qeveria shqiptare është duke ndërmarrë një ristrukturim të skemës së pensioneve, në mënyrë që ta bëjmë më të qëndrueshme, do garantojë pensione më të larta për pensionistët. Përgjatë vlerësimit që po i bëjmë skemës dhe ku do vijmë me propozime konkrete, kemi menduar që të vijohet me skemën e bonuseve, ta quajmë të ardhura mbi pensionet, që do paguhet çdo muaj dhe do shoqërohet dhe me ndryshimet strukturore që do i ti bëjmë skemës së pensioneve”, sqaroi Malaj.
Sipas ministrit, bonusi mujor është vendosur sipas kontributit të pensionistëve ndër vite.
Është menduar që e ardhura shtesë që u jepet pensionistëve të jetë në linjë me kontributin që kanë patur pensionistët ndër vite. Ata që kanë kontribuuar më shumë, do marrin të ardhura më shumë, ata që kanë pas kontribut më të ulët do marrin të ardhura më të ulët se grupi tjetër”, tha ministri.
Gjatë fjalës së tij, Malaj tha se ekonomia e Shqipërisë është në një moment pozitiv dhe se rritja ekonomike po përkthehet në mirëqenie.
“Inflacioni është 2.2%. Në aspektin e deficitit të llogarisë korente, për vitin 2024 ai ishte 2.4% e PBB-së, çka lidhet edhe me deficitin fiskal. Turizmi është motori kryesor i eksporteve shqiptare, me të ardhura që janë rritur me 7.7% në gjysmën e parë të vitit. Investimet e huaja direkte janë rritur me 7% në vitin 2024, duke vijuar trendin pozitiv edhe për vitin 2025. Investimet kryesore mbeten në pasuritë e paluajtshme dhe turizëm. Borxhi publik arriti në 54.2% në vitin 2024, niveli më i ulët i viteve të fundit. Projektbuxheti 2028 mbetet një nga prioritetet tona strategjike, ku në fokus janë: rritja e qëndrueshme ekonomike me 4% në vit. Reduktimi i borxhit publik në 54.1% deri në fund të vitit 2026. Për Ministrinë e Financave, ruajtja e stabilitetit ekonomik do të vijojë të mbetet një angazhim i palëkundur”, nënvizoi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



