Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka thënë se linja hekurudhore Prishtinë – Durrës po bëhet realitet. Aliu gjatë një takimi me autoritetet shqiptare, është shprehur se studimi i fizibilitetit është afër realizimit.
Shqipëria dhe Kosova do të lidhen edhe përmes linjës hekurudhore Durrës-Prishtinë, në bazë të marrëveshjes së nënshkruar mes dy vendeve në mbledhjen e fundit të mbajtur, ku u zhvillua takimi i shtatë mes qeverive të dy vendeve.
Në këtë takim palët patën njoftuar se që në buxhetet e dy vendeve për vitin e ardhshëm janë parashikuar fondet për kryerjen e fizibilitetit të ndërtimit të kësaj hekurudhe, gjë që konsiderohet si fillimi i punimeve për ndërtimin e saj.
“Studimi i fizibilitetit dhe projekti preliminar i dizajnit për linjën hekurudhore Prishtinë – Durrës po bëhet realitet. Jemi te Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave në Durrës për të diskutuar për hapat e mëtejmë të linjës hekurudhore që do t’i bashkojë ekonomitë tona dhe do t’i fuqizojë mundësitë për zhvillim ekonomik, si për Kosovën ashtu edhe për Shqipërinë”, ka njoftuar Aliu
Krahas marrëveshjes për hekurudhën Durrës-Prishtinë, në takimin e Elbasanit janë nënshkruar edhe 12 marrëveshje të tjera që kanë të bëjnë me lehtësimin e lëvizjes së lirë të njerëzve në të dyja anët e kufirit, marrjen e lejeve të qëndrimit dhe të punës, hapjen e pikës kufitare në Shishtavec, (Kukës), shkurtimin e ndërsjelltë të procedurave për njohjen e diplomave dhe gradave shkencore.
Autoritetet në Prishtinë vazhdimisht kanë konfirmuar gatishmërinë për realizimin e projekteve të linjave hekurudhore dhe rrugore me vendet e rajonit, siç është linja hekurudhore Durrës – Prishtinë – Nish, projekt ky që lidh Shqipërinë, Kosovën dhe Serbinë.
Projektet rajonale hekurudhore ishin diskutuar edhe në Procesin e Berlinit, pjesë e të cilit është edhe Kosova.
Ky proces ishte iniciuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel në vitin 2014, në të cilin përfshihen dymbëdhjetë shtete, gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor të cilat janë në faza të ndryshme të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe gjashtë shtete anëtare të BE-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



