Rend dhe Ligj

Ministri i Drejtësisë shkarkon nga detyra drejtorin e burgut të Durrësit

Gazeta Si – Një ditë pas arratisjes së Altin Ndocit në Spitalin e Durrësit, ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka firmosur sot shkarkimin e drejtorit të IEVP Durrës, Indrit Cërloj.

Veç shkarkimit të drejtorit, Lamallari ka kërkuar nga drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, një plan të ri të vlerësimit të sigurisë dhe rishpërndarjes mbi bazën e rrezikshmërisë së të dënuarve dhe paraburgosurve në IEVP Durrës, duke konsideruar edhe transferimin në burgje të tjera të sigurisë së lartë.

Po kështu, ditën e djeshme u krye menjëherë pezullimin e nga detyra të të gjithë zinxhirit komandues të IEVP Durrës.

Nga verifikimet paraprake, rezulton se IEVP Durrës për shoqërimin e Ndocit në spital, nuk ka raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve as planifikimin dhe as realizimin e vizitës mjekësore, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi.

Gjithashtu, rezulton se nuk janë respektuar procedurat standarde për shoqërimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë