Nga Gazeta ‘SI’- Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla prezantoi sot Paketën e Mbështetjes për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural për vitin 2026, duke e cilësuar si skemën më të madhe ndonjëherë për fermerët dhe agrobizneset shqiptare.
Ministri Salla nënvizoi se mbështetja e bujqësisë mbetet një prioritet strategjik i qeverisë shqiptare dhe theksoi se paketa e këtij viti, me një buxhet total prej 5.2 miliardë lekësh, ka për qëllim, formalizimin e tregut.
“Kjo paketë sjell buxhetin më të lartë ndonjëherë për fermerët dhe agrobizneset, adreson nevojat prioritare të sektorit bujqësor dhe e përafron atë me standardet e Bashkimit Europian”, tha ai duke theksuar se është hartuar pas dhjetëra dëgjesash me fermerët dhe duke adresuar ankesat e tyre.
Salla tha se po punohet për një paketë mbështetje për fermerët e prekur nga përmbytjet dhe pvr një skemë sigurimi për bujqësinë.
“Kemi bërë një grup të përbashkët midis Ministrisë së bujqësisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes dhe shumë shpejt do të kalojmë në mbështetjen e tyre. Çdokush do të mbështetet si masë e procedurave që ne do të vendosim. Shumë shpejt do dalim me një raport të përbashkët. Jemi duke punuar edhe me Ministrinë e financave për sigurimin e bujqësisë, sigurimin e fermave, sigurimin e të gjithë bizneseve të procesit të bujqësisë që ta kalojmë në një hap tjetër që nesër ne mos të kemi problematika të kësaj natyre. Jemi duke marrë modelin turk si model”, tha Salla.
Sipas ministrit, programi IPARD III do të bëhet i aksesueshëm brenda vitit 2026.
Ndër të tjera, Salla tregoi se është projektuar ndërtimi i 7 laboratorëve të rinj në vend, dedikuar sigurisë ushqimore.
“Jemi duke bërë dhe formatimin e pjesës së stafit të të AKU-së dhe sektorëve të tjerë, në mënyrë që ne të përafrojmë të gjithë strukturat me qasjen që ne do të kemi në raport me sigurinë ushqimore. Brenda pak ditësh ne fillojmë edhe nga ndërtimi i laboratorëve”, tha ministri i Bujqësisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje