Rend dhe Ligj

Ministri i Brendshëm, dikur në krye të këshillit që duhet të kontrollonte Rinasin

Super grabitja brenda aeroportit të Rinasit solli reagimin në bllok të kryeministrit dhe të gjithë ministrave nga ai përgjegjës për transportin dhe deri te më i fundit, duke nxjerrë një shkaktar të vetëm për ngjarjen e ndodhur: Fajin e ka koncensionari dhe jo shteti.
“Kompania kineze që bleu aeroportin nga e mëparshmja, dështoi po njësoj në garantimin e sigurisë. Shteti shqiptar s’do pranojë asnjë justifikim nga kompania, po do marrë kontrollin e perimetrit të jashtëm e të sigurisë së brendshme. Respekt për policinë që sulmohet veshëgjatësisht”. Ky do të ishte reagimi i kryeministrit Edi Rama pas grabitjes së bujshme, i cili do të pasohej dhe me deklaratat breshëri të ministrave të tjerë.

“Ajo që tashmë dihet nga analiza dhe hetimi është se, mekanizmat e sigurisë, që janë nën përgjegjësinë e kompanisë kineze koncesionare të aeroportit, kanë dështuar tërësisht. Koncesionari ka dështuar të përmbushë përgjegjësitë e tij për garantimin e parametrave të sigurisë fizike dhe nuk ka zbatuar standardet e detyrueshme të sigurisë, që përcaktohen nga legjislacioni vendas dhe nga Organizata Botërore e Aviacionit Civil”, do të shprehej ministrja e Mbrojtjes, Xhaçka, e cila nxitoi të bënte publik lajmin për dislokimin e forcave ushtarake pranë aeroportit të Rinasit.

Ndërsa ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj në deklaratën e tij do të fajësonte koncesionarin se nuk kishte lajmëruar policinë në kohë për ngjarjen e ndodhur.
“Nga analiza e deritanishme, rezulton se nuk kanë funksionuar aspak mekanizmat e sigurisë që janë nën përgjegjësinë e Kompanisë Koncensionare të aeroportit. Kompania kineze që ka koncesionin e aeroportit të Rinasit ka dështuar të përmbushë përgjegjësitë e saj për garantimin e parametrave të sigurisë fizike. Koncesionari dhe Kontraktori i zgjedhur prej tij, që përgjigjet për sigurinë fizike të Aeroportit, nuk kanë arritur të zbatojnë standardet e detyrueshme të sigurisë, që përcaktohen nga legjislacioni vendas dhe nga Organizata Botërore e Aviacionit Civil (ICAO), megjithëse vetëm për llogari të sigurisë kanë arkëtuar rregullisht dhe pa ndërprerje afërsisht 3 euro për çdo pasagjer që ka dalë nga ky aeroport”, do të deklaronte Lleshaj.

Ministri Lleshaj në Konferencën për shtyp për ngjarjen e ndodhur

Shkarkimi i përgjegjësisë nga kjo grabitje, si një “deja vu” e ndodhur tre vite më parë, duke e lënë topin e përgjegjësisë te koncensionari dhe TIA-s. ‘China Everbright’ është kompania që prej tetorit 2016 ka marrë në koncesion aeroportin e vetëm ndërkombëtar të Shqipërisë, si dhe 100 për qind të aksioneve të kapitalit aksionar të Tirana International Airport (TIA). Pavarësisht se brenda perimetrit të aeroportit siguria i përket koncensionarit, jashtë kësaj zone ruajtja edhe kontrolli i takonte policisë së shtetit, e cila operon dhe brenda me shërbimet e kontrollit tw pasagjerwve.
Por Autoriteti Civil është institucioni që ka përgjegjësinë për të kontrolluar dhe ushtruar mbarëvajtjen dhe lidhur me problemet që mund të ketë me sigurinë në aeroportin e Rinasit. Kështu pranë autoritetit funksionon Këshilli Drejtues, i cili ka për detyrë dhe përgjegjësi për mbarëvajtjen e këtij institucioni. Sipas vendimeve të qeverisë ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka qenë kryetar i Këshillit Drejtues. Në një vendim të dhjetorit 2017 qeveria vendosi që këshilltari i kryeministrit për Çështjet e Sigurisë, kolonel Lleshaj tw ishte kryetari i saj, si dhe anëtarë Brunilda Lilo, Hajrulla Çeku, Vladimir Avdiaj dhe Etleva Kondi. Sipas ligjit ky Këshill duhej të mblidhej një herë në dy muaj.

Faksimile e VKM ku Lleshaj caktohej kryetar i Këshillit Drejtues të Autoritetit të Avacionit Civil


Vetë Lleshaj, tashmë në postin e ministrit të Brendshëm ka qenë në dijeni të zhvillime të brendshme dhe të probleme që ka pasur Autoriteti Civil sa i përket çështjes së sigurisë dhe jo vetëm, por edhe për vendosja e tarifave dhe çmimeve të “kripura” që vendoseshin nga koncesionari për transportin ajror të udhëtarëve.
Çështja e sigurisë në Aeroportin e Rinasit ka qenë edhe objekt i debatit të mëparshëm në këtë Komitet të Sigurisë Kombëtare të Aviacionit Civil Shqiptar, i cili analizoi për më shumë se dy orë ngjarjen e 30 Qershorit 2016 të grabitjes.
Përfaqësuesit e policisë, drejtori i Policisë së asaj kohe Haki Çako dhe drejtori i Kufirit Genc Merepeza theksuan se roli i saj në sigurinë e aeroportit duhet të jetë më i madh duke riparë elementet e kontratës. Kjo u kundërshtua nga përfaqësuesit e TIA-s, të cilët kërkuan vetëpërmbajtje deri në momentin që do të përfundojë hetimi për përgjegjësit realë.
Komiteti drejtohet nga drejtori Ekzekutiv i Autoritetit të Aviacionit Civil dhe në përbërje të tij ka drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, zëvendëskryetar; si dhe anëtarë: drejtorin e Përgjithshëm të Doganave; drejtorin e Kufirit, në Policinë e Shtetit; drejtorin e Përgjithshëm të Aeroportit; një përfaqësues të operatorëve të shoqërive ajrore; drejtorin e Agjencisë Nacionale të Trafikut Ajror (ANTA); drejtorin e Aeroporteve dhe Sigurisë së Aviacionit Civil (AAC); komandantin e Forcave Ajrore; drejtorin e Përgjithshëm të Emergjencave Civile (MB); shefin e Shërbimit të Kërkim – Shpëtimit (SAR/MM); drejtorin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKSHI/MITIK).
Nga kjo përbërje kuptohet se edhe strukturat e ministrisë së Brendshme janë në dijeni të situatës në Rinas sa i përket çështjes së sigurisë dhe kjo mjafton të lexojnë raportet në lidhje me problematikat që janë konstatuar ndër vite, e kjo pas grabitjes së ndodhur në vitin 2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë