Gjykata e Lezhës ka dhënë masën e sigurisë për motër e vëlla, Amelda Elezi 21 vjeç dhe Armand Lukani 23 vjeç nga Vlora, të cilët u kapën me tri mina me telekomandë tri ditë më parë në Lezhë.
Gjykata ka vendosur të lërë në burg vëllain me akuzën “Mbajtje pa leje të armëve shpërthyese” dhe të lërë të lirë nën masën “arrest shtëpie” motrën e tij. Amelda është liruar nga akuza e minave dhe akuzohet vetëm për “prodhim dhe shitje të narkotikëve”, pasi në çantë iu gjet marijuanë.
Ndërkohë, familjarët e tyre të pranishëm në sallën e gjyqit kanë deklaruar se vëlla e motër nuk kanë lidhje me bombat me telekomandë dhe se jetojnë në kushte të vështira ekonomike.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga policia e Lezhës tri ditë më parë në çantat e tyre të shpinës janë gjetur 3 minat me telekomandë, por edhe një sasi lënde narkotike e dyshuar marijuanë, prej 2.3 kg.
Mbi ta rëndonin veprat penale të “trafikimit të lëndëve plasëse” dhe “prodhimi e shitja e lëndëve narkotike”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



