Histori

Milo: Rishkrimi i historisë jo nga Akademia, të preken edhe tekstet shkollore

Bledar Hoti-Që pas rrëzimit të regjimit komunist në Shqipëri ka pasur debate për nevojën e rishkrimit të historisë. Ekspertë të ndryshëm janë ndarë në pro e kundër vlerësimit të disa ngjarjeve historike, por kryesisht për disa zhvillime gjatë luftës nacionalçlirimtare apo dhe periudha të tjera, siç është edhe periudha e mbretit Zog. Shprehja se “historinë e bëjnë fitimtarët”, duke se ka është e pandashme dhe për Shqipërinë në këtë periudhë tranzicioni.
Në të gjitha rastet janë dënuar rastet e ndërhyrjes së shtetit që janë parë si një tentativë për të shtrembëruar edhe fakte historike. Profesor Paskal Milo, historian i njohur, në një intervistë për Gazeta Si ndan bindjen e se historia duhet të rishikohet. Ai thekson se “ajo nuk rishkruhet, por rishikohet, pasi faktet e ngjarjet askush nuk mund t'i ndryshojë. "Patjetër që mund të realizohet", thekson Milo, duke dhënë edhe opsionet se si mund të realizohet një gjë e tillë.
Profesor Milo, prej vitesh ka debate për rishkrimin e historisë në vend, si i shikoni ju këto vlerësime?
Rishikimi i historisë është një proces normal i domosdoshëm, objektiv. Është puna e historianëve si profesionistë që mbi bazën e metodologjive të reja shkencore, mbi bazën e zbulimeve të reja dokumentare të bëjnë studime më të thelluara dhe ngjarjet historike ti shohin në këndvështrime të ndryshme, por pa tentuar, se nuk janë në gjendje që ta realizojnë, që të ribëjnë historinë. Ky është një proces në vijimësi, objektiv që e ndërmerr e gjithë bota, i kthehen dhe u rikthehen ngjarjeve historike. Jo për t’i përmbysur ngjarjet, por për t’i studiuar sa më thellë, e sa më mirë dhe në këndvështrime të ndryshme mbi bazën e të dhënave të reja

Këtë proces duhet ta realizojë Akademia e Shkencave?
Jo Akademia e Shkencave, sepse në vetvete nuk është institucion që shkruan historinë. Akademia është një institucion tashmë me një status që nuk dihet se si do të ecë. Dikur Akademia mund ta udhëhiqte procesin e rishkrimit të historisë, për shkak se ajo kishte në vite të shkuara në varësi të saj Institutin e historisë. Tani Akademia me statusin e ri që ka nuk e ka më në varësi këtë institutit, i cili është pjesë e Institutit të Albanologjisë. Për rrjedhojë Akademia e Shkencave nuk e urdhëron Institutin e Historisë, nuk e detyron këtë institut ku janë historinë dhe pastaj procesi i rishkrimit, nuk është se mund të realizohet brenda katër mureve të institucionit, sepse vetëm me dy apo tre historianë që ka Akademia si anëtare të saj nuk mund të marrë përsipër të bëjë një projekt të tillë kaq të madh. Duhet angazhimi i të gjithë forcave, të historianëve profesionistë, jo të amatorëve, jo të atyre që vetëshpallen historianë, se Historia është shkencë dhe si e tillë ajo mund të zhvillohet dhe historiografia si pjesë e saj mund të ecë përpara, vetëm nga profesionistët dhe studiuesit që kanë bërë studime të thelluara dhe që kanë mundësi, aftësi dhe vullnet që t’i çojnë përpara këto procese.


Ky proces mund të prekë edhe kurrikulat shkollore të nivele të ndryshme?
Patjetër që kurrikulat shkollore janë parë, por duhet të vazhdojnë të rishihen me qëllim që arritjet e historiografisë së bibliografisë shqiptare të reflektohen edhe në kurrikulat shkollore parauniversitare, por edhe universitare dhe post universitare. Sepse për fat të keq gjatë këtyre 30 viteve, ndonëse mund të ketë liri akademike, që gjithkush mund ta thotë fjalën e vet dhe mund të shkruajë çfarë mendon jo të gjitha çfarë është shkruar dhe çfarë është thënë në fushën e historiografisë janë shkencore dhe janë të vërteta. Ka shumë abuzime dhe manipulime pikërisht sepse nuk ka një proces të strukturuar, një strategji kombëtare për të studiuar dhe shkruar historinë. Gjithkush mund të flasë dhe të bëjë, por forca të caktuara, të posaçme, të ndërgjegjshme, patjetër me mbështetje shtetërore do të mund të bënin një punë të tillë që të kemi një strategji kombëtare dhe që të kemi rezultate të cilat pastaj do t’i referojmë edhe në kurrikulat e të të gjitha niveleve të shkollimit në Shqipëri apo dhe në rajon.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë