Kuriozitete

Mike Pompeo dhe shishja e humbur e uiskit me vlerë 6.000 dollarë!

Ku përfundoi? Qeveria amerikane po heton zhdukjen misterioze të një shishe uiski prej 5,800 dollarësh të dhuruar nga Japonia për ish-sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo.

Zyrtarët japonezë ia kishin dorëzuar shishen Departamentit të Shtetit më 24 qershor 2019, kur Pompeo ishte në Arabinë Saudite. Nuk është e qartë se kush e kishte marrë përsipër dhuratën e çmuar ose çfarë ndodhi me të.

Personi në fjalë siguron se nuk e ka parë kurrë shishen (e lëre më të jetë dehur).

Zyrtarët e qeverisë amerikane, mund të mbajnë dhurata me vlerë më të vogël se 390 dollarë, por ata duhet të blejnë çdo gjë përtej asaj vlere nëse duan ta marrin në shtëpi.

Sipas burimeve të gazetës “New York Times”, asnjë pagesë nuk është bërë për shishen e humbur. Është e pazakontë që Departamenti i Shtetit të deklarojë publikisht se nuk e di se ku është një objekt.

Një avokat i Pompeos, tha se ish-Sekretari i Shtetit dhe ish-kreu i CIA-s, nuk e ka idenë se ku mund të jetë shishja shumë e shtrenjtë.

Politikani italo-amerikan, i cili mund të kandidojë për Partinë Republikane në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, i kërkoi Donald Trumpit të shkarkonte një inspektor të përgjithshëm, i cili po hetonte keqpërdorimin e fondeve publike nga ai dhe gruaja e tij.

Në prill, një raport nga një inspektor i ri i emëruar nga Departamenti i Shtetit, nxori në pah parregullsitë në sjelljen e çiftit, i cili dyshohet se përdorte stafin ministror për punët e shtëpisë (të tilla si kujdesi për qenin e familjes).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë