Festivali i muzikës internacionale në Korçë, MIK Festival nisi mbrëmjen e djeshme në teatrin “Andon Zako Çajupi” ku nata e parë e këtij eventi iu dedikua artistes Jorgjia Truja.
Nën titullin “Muza e Parë” dhe tingujt e pianos nga Ingrid Pulizo kjo mbrëmje i është dedikuar artistes së njohur Jorgjia Truja, një nga ikonat dhe muzat e muzikës lirike në Shqipëri.
Drejtuesja artistike njëkohësisht edhe themeluese e Mik Festival, Inva Mula është shprehur se edicioni i gjashtë i MIK Festival vjen me një program të pasur tre ditor me performanca në teatrin e Korçës, Drenovës dhe në kishën e Mborjes.
“Ky festival filloi duke i bërë homazh një nga figurave që ka dhënë shumë kontribut për artin në Shqipëri. Ka kaq shumë artistë të lindur në Korçë ndaj jam shumë e lumtur që vetëm në Korçë nuk do të na ndalin edicionet për të renditur figurat e artit”, tha Inva Mula për mediet.
Sopranoja e njohur Ramona Tullumani e cila ka ndarë emocionet e para të këtij eventi pas interpretimit së bashku me Inva Mulën.
Ajo thekson se “dueti me sopranon botërore, Inva Mula, i kësaj pjese nga “Dasma e Figaros”, renditet ndër gjërat e rralla, të bukura dhe plot dashuri të rrugës sime si këngëtare lirike”
“E edukuar që e vogël me trashëgiminë familjare dhe dashurinë për operan, interpretimet e Invës në skenat e teatrot më të famshëm të botës më kanë shërbyer si shtysë për të ecur përpara rol pas roli, në një rrugë të vështirë e të lodhshme”, ka theksuar Tullumani.
Nata e parë e Mik Festival ka vazhduar më tej me muzikën greke duke u zhvendosur në Pazarin e Vjetër të Korçës me këngëtaren Kaliopi Veta dhe kompozitorin grek Janis Ioannou, ritmet e bukura të flamengos spanjolle si dhe tingujt e muzikës italiane
Edicioni i 6-të i “MIK Festival” do të vijojë me të tjera performanca gjatë mbrëmjes së sotme dhe nesër duke e shndërruar Pazarin e vjetër të qytetit në një skenë të madhe. (ATA)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




