Nga Gazeta ‘SI’ – Ministria e Energjisë planifikon të krijojë Operatorin e Energjisë së Rinovueshme për të menaxhuar energjinë e rinovueshme dhe do të jetë blerësi i të gjithë prodhuesve që do të mbështeten nga qeveria e do ta shpërndajë këtë energji direkt në tregun e organizuar. Ai duhet të themelohet brenda 6 muajve që nga miratimi i vendimit.
Kështu thuhet në draftligjin e publikuar nga MIE, të nxjerrë për konsultim, për zhvillimin e sektorit të energjisë së rinovueshme dhe futjen e konsumatorëve në të si prodhues, “vetëkonsumatorë”.
“Energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme i garantohet akses transparent dhe jodiskriminues në rrjetet e transmetimit dhe shpërndarjes bazuar në kriteret dhe në bazë të tarifave të miratuara dhe të publikuara nga ERE”, – thuhet në dokumentin e ministrisë.
Vetë-konsumatorët e rinovueshëm do të kenë një kapacitet maksimal prej 500 KWë dhe do të kenë të drejtë të gjenerojnë, konsumojnë, ruajnë dhe shesin prodhimin e tepërt të energjisë elektrike të rinovueshme, duke përfshirë përmes marrëveshjeve dypalëshe, furnizuesve të energjisë elektrike dhe marrëveshjeve të tregtisë me homologët. Çmimi i tyre do të vendoset nga ERE, përfshirë në të koston e transmetimit, shpërndarjes dhe balancimit.
MIE thekson se çdo kategori konsumatorësh, përfshirë individë apo biznes, do të mund të bëhet një skemë e veçantë informimi për burimet e energjisë së rinovueshme, por edhe për skemat mbështetëse ku ata mund të konkurrojnë.
Sipas draftligjit, prodhuesit me përparësi, pra ata të licensuar nga Komuniteti i Energjisë apo vetë Ministria për prodhim energjie, mund të dërgojnë energji në rrjet për balancim. Në rast se ato prodhojnë energji tepricë dhe kanë mundësi për ta ruajtur, por që nuk e hedhin në rrjet, ato përsëri do të përfitojnë mbulim financiar.
Çdo kosto teknike, do të paguhet nga vetë prodhuesit.
“Operatori i energjisë së rinovueshme, me koston e vetë, mund të përdorë objektet e depozitimit për të optimizuar kostot e përgjithshme të disbalancës dhe për të përfituar nga diferencat për orë përmes zhvendosjes së dërgesave”, – thuhet në dokument.
Llojet e mbështetjes janë menduar të jenë tre, marrëveshjes për blerje të energjisë, kontratës për diferencën.( Operatori i Energjisë së Rinovueshme i paguan Prodhuesit me Përparësi diferencën midis Çmimit të Garantuar dhe Çmimit të Referencës kur Çmimi i Referencës është më i ulët se Çmimi i Garantuar, dhe prodhuesi me përparësi i paguan diferencën) ose me kontratë për Prim, çmim i vendosur midis OER dhe prodhuesit me përparësi, sipas çmimit të tregut.
Kriteret për të përfituar mbështetjen vendosen nga MIE dhe përfshijnë potencialin afatgjatë të projektit, kostot, konkurrim i mbyllur etj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



