Këngëtari Ermal Meta do të mbajë më 17 shtator një koncert në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.
Ky do jetë koncerti i parë që organizohet në stadiumin e ri në kryeqytet.
“Siç premtuam, kemi një datë të re. Pas koncertit në Tormina do të këndojmë së bashku nën qiellin e Tiranës. Më 17 shtator në stadiumin ‘Air Albania’ do të krijojmë së bashku një kujtim të bukur. Koncerti do të jetë falas dhe artdashësit mund të regjistrohen nga e marta, 25 gusht”, shprehet këngëtari.
Këngëtari Ermal Meta, i cili jeton dhe ushtron veprimtarinë e tij artistike në Itali, rikthehet pas tri vitesh në turin e tij të ri muzikor në Tiranë, ku dhe do të mbajë një koncert në Stadiumin Air Albania.
Pas shumë muajsh pauze prej pandemisë, Ermali ka vendosur të kryejë turin e tij të parë muzikor. Një turne i cili do t’i japë fund mungesës së koncerteve, por në të njëjtën kohë do të ketë një rëndësi emocionale për këngëtarin prezenca e tij në Shqipëri.
Kantautori italian Ermal Meta ka marrë pjesë në tre edicione të Festivalit të Sanremos, ku në 2018 fitoi edhe çmimin e parë me këngën “Non mi avete fatto niente”, së bashku me këngëtarin italian Francesco Moro.
Ermal Meta ka qenë anëtar i grupit muzikor italian “Ameba4” dhe “La Fame di Camilla”. Pasi kompozoi këngë për disa artistë italianë, ai filloi karrierën e tij solo, duke nxjerrë edhe albumet Umano (2016) dhe Vietato morire (2017) dhe “Non abbiamo armi”, (2018). Ai ka rrëmbyer edhe çmimin ‘MTV Europe Music Awards’.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



