U përjetua njësoj si një vdekje, si një dënim i rëndë. Bota e sportit derdhi lot për të famshmin Mexhik Xhonson më 7 nëntor të vitit 1991, kur ai njoftoi tërheqjen nga basketbolli, pasi rezultoi pozitiv me virusin “HIV”, që shkakton sidën. Një karrierë legjendare, kishte fituar 5 tituj kampion në vitet ’80 me Lejkërsat spektakolarë, në kohën e rivalitetit me Lerri Bërd të Boston Selltiks. Një rivalitet që e kishte bërë sërish Amerikën, por edhe pjesë të tjera të botës, të dashuroheshin me NBA-në. Mexhik Xhonson ishte 32 vjeç dhe disa muaj më parë i kishte çuar Lejkërsat në finale, por ishte i detyruar të hiqte dorë nga basketbolli nga ajo sëmundje, që në atë kohë ishte e pashërueshme. Sot Mexhik Xhonson mbush 60 vjeç. Edhe ndaj sëmundjes bëri atë që ka bërë gjithmonë: fitoi.

Emri i tij është Ervin Xhonson Xhunior, por njihet nga të gjithë si Mexhik Xhonson. Ka lindur në Lansing, Miçigan, më 14 gusht 1959, me basketbollin në gjak dhe me një buzëqeshje të rrallë, me aftësinë për të krijuar menjëherë një lidhje me të ardhmen dhe sigurinë se ishte unik me topin në dorë. Aventura e tij nisi në kolegjin e Miçiganit, ku fitoi titullin në vitin 1979. Ishte fillimi i një rivaliteti që ndryshoi përgjithmonë NBA-në, rivaliteti me Lerri Bërd, kundërshtarin e përhershëm. Të dy u bënë profesionistë së bashku pak muaj më pas, kur Xhonson shkoi te Lejkërsat dhe u transformua brenda pak muajsh në “djalin” e pronarit të atëhershëm, Xherri Bas. Ai dukej sikur ishte bërë enkas për Hollivudin, i talentuar dhe i suksesshëm. Menjëherë protagonist, sepse një “point guard” prej 206 centimetrash, me një vizion loje të tillë, ishte i destinuar të ndryshonte gjithçka.
Mexhik Xhonson u mund nga Bërd në garën e çmimit të lojtarit më të mirë të vitit, por e mori veten menjëherë, duke fituar titullin në vitin 1980 si “MVP” ( lojtari më i mirë i ndeshjes) i finaleve ndaj Filadelfias, që u bë historike edhe për faktin se për shkak të dëmtimit të Karim Abdul-Xhabar, Xhonson luajti në qendër. Madje, bëri diferencën. Në 10-vjeçarin pasardhës Mexhik Xhonson u bë një mit, falë edhe rivalitetit me Bërd, falë, mbi të gjitha, talentit të pabesueshëm, që e bëri fitues 3 herë të “mvp”, por edhe simbolin e një skuadre të madhe. Rivaliteti Lejkërs-Boston i ndau tifozët e basketbollit për shumë arsye: Mexhik Xhonson kundër Bërd, të zinjtë kundër të bardhëve, Lindja kundër Perëndimit. Një mënyrë të qeni dhe të jetuari, përpara sportit.

Jeta tjetër e Mexhik Xhonsonit filloi me betejën ndaj sëmundjes. Betejë që duke nisur nga nëntori i 1991-shit e përballoi me të njëjtën buzëqeshje si në kohën kur mbante fanellën me numër 32 te Lejkërsat. Pasi u kuptua që nuk ishte një dënim me vdekje, sepse Mexhik Xhonson nuk u prek nga sida, ai u kthye në tapet për “All Star Game” në vitin 1992, kur u bë epik. Në atë kohë hodhi bazën për hyrjen në “Dream Team”, skuadrën amerikane për Olimpiadën e Barcelonës. Skuadra më e fortë e të gjitha kohërave, me Majkëll Xhordan, Mexhik Xhonson dhe Lerri Bërd. Duke përjashtuar përvojën e shkurtër si trajner i Lejkërsave dhe një rikthim të shkurtër në tapet në 1996-ën, Mexhik Xhonson e mbylli me basketbollin, derisa Xhini Bas, që për të ishte si një motër, i kërkoi ta ndihmonte për rilindjen e Lejkërsave.

Xhonson u shndërrua ndërkohë në një nga sportistët më të suksesshëm jashtë tapetit, me një pasuri personale që e lejoi të bëhej aksioner i Los Anxheles Doxhers. Por thirrja e Lejkërsave është e parezistueshme dhe për dy vjet, nga shkurti i 2017-ës te dorëheqja e bujshme, ai provoi t’i transformonte Lejkërsat në një superfuqi. Nën administrimin e tij, me këtë skuadër u bashkua LeBron Xhejms, por ishte një zhgënjim. Mexhik Xhonson u kthye të bëjë atë që di më mirë: legjendën që e tregon basketbollin si pak të tjerë. Është ai fenomeni i aftë të bëjë për vete botën me një buzëqeshje dhe që të mundë një të keqe të pashërueshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.