Teatri Metropol ende nuk i ka çelur dyert fizikë për publikun, por nuk ka lënë pas shfaqjet dhe festivalet muzikore. Festivali muzikor “Metrosounds”, që organizohet nga Teatri prej dy vitesh, në edicionin e tij të tretë ka ardhur në formatin online nëpër rrjetet sociale, duke iu përshtatur kohës sfiduese të diktuar nga Covid-19.
Festivali muzikor “Metrosound 3” këtë vit konsiston në regjistrimin audiovizual të katër perfomancave muzikore nga katër banda dhe artistë të ndryshëm të muzikës alternative shqiptare.
“Sigurisht kufizimet e kësaj situate dashur padashur na kanë drejtuar te publiku online, dhe si të gjithë edhe ne në rrjetet online jemi”, shprehet për Gazetën Si, Anila Mema, përgjegjëse e Sektorit të Marrëdhënieve Publike në Teatrin e Metropolit.
Teatri thotë se programi i MetroSounds 3 përbëhet nga një përzgjedhje artistike, e cila është e ndërtuar për të na vënë në kontakt me identitetin alternativ krijues lokal. Si i tillë ky program sjell një përfaqësi komplekse të disa prej performancave më përfaqësuese të kulturës alternative.
“Metrosound 3” startoi me performancën Live të artistes nga Prishtina, Oda Haliti.

Sipas Përgjegjëses së Sektorit të Marrëdhënieve Publike, Anila Mema, edhe pse online, deri më tani ka pasur shumë shikueshmëri.
“Ka pasur shumë shikueshmëri, në rrjetet sociale, si Facebook dhe Instagram, Youtube pak më pak në fakt”, shprehet Mema.
Këtë fundjavë do të jetë grupi Threefiftysixam- një bandë Krautrock, Elektronik, Instrumental nga Tirana, i formuar në 2015.

Kjo performancë do të shfaqet sonte (e diel) ora 20:00. Banda përbëhet nga Christopher Ndrio (Kitarë), Ergi Shkëlzeni (Bass), Emiljano Lubonja (Bateri) dhe Klejd Guza (Sintetizator), i cili u bashkua më vonë në 2017. Gjatë kësaj kohe, ata kanë luajtur në koncerte të shumta live, brenda dhe jashtë vendit.
Duke eksperimentuar në zhanre të ndryshme, grupi ka krijuar stilin dhe tingullin e tij unik. Ata publikuan për herë të parë “On the Moon” në 2015, ndjekur nga “Eleven” në 2019.
Teatri Metropol thotë se në formatin online, ky festival synon kështu edhe krijimin e audiencave të reja masive dhe rinore dhe zgjerimin e familjes së madhe entuziaste të ndjekësve të Teatrit Metropol.
Misioni i MetroSounds është të pasurojë jetën artistike shqiptare duke përkrahur muzikën e re dhe zbulimin, e cila do t’u shërbejë dashamirësve të muzikës dhe artistëve përmes prezantimit të rrymave dhe muzikës e produksioneve të reja, nëpërmjet transmetimit online të këtyre filmimeve audio-vizuale.
Performuesit janë muzikantë krijues bashkëkohorë me prodhime të reja muzikore në zhanre të njohura që përfshijnë rock, hip hop, elektronikë, etj.
Performancat e festivalit mund të ndiqen në kanalet e Teatrit Metropol në Facebook dhe Youtube, çdo të diel, ora 20:00.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.