Shfaqje teatrore, muzikë, koncerte, takime e diskutime me studiues e artistë. Kështu do t’i japë jetë sezonit të ri artistik Teatri Metropol.
Ansambli i Tiranës siç njihet ndryshe do të jetë e para trupë që do të çelë festivalin e quajtur “Adriatik”, i cili do të mbahet nga data 6 deri më 19 shtator me shfaqje jo vetëm në skenën teatrore, por dhe te amfiteatri i Liqenit të Tiranës.
“Adriatik” vjen menjëherë pas projektit AIDA – Adriatic Identitythrough Development of Arts mbi vendet e memories së popujve në brigjet e Adriatikut, një projekt i përbashkët dhe i rëndësishëm mes Italisë – Shqipërisë dhe Malit të Zi.
Teatri Metropol është përzgjedhur në këtë projekt si përfaqësues i teatrove shqiptare. “Riparimi” është shfaqja e përbashkët Itali-Shqipëri-Mal i Zi, me regji nga Cesar Brie dhe me aktorë nga tri shtete.
Drejtuesja e re e këtij institucioni, Armela Demaj, tregon edhe konceptin e këtij festivali të ri.
“Ky festival, i cili hulumton jetët e vendeve që lagen nga Adriatiku, nuk do të ketë në tërësi të vetë vetëm shfaqje të Shqipërisë, por edhe nga Italia, Mal i Zi dhe Kosova. Gjithashtu pjesë e këtij festivali do të jenë edhe tri koncerte nga Ansambli Tirana, i cili do të çel edhe festivalin”, shpjegon drejtoresha e Teatrit Metropol, Armela Demaj.
Projekti, i cili ka nisur një vit më parë, ka në fokus të krijojë një model identiteti mbi vetëdijen dhe memorien kolektive të komuniteteve pranë detit Adriatik.
“Projekti ka krijuar rrjete bashkëpunimi me qytetet Lece, Campobasso, Tiranë dhe Ulqin, të cilat së bashku do të përfaqësohen në Tiranë gjatë netëve të festivalit me shfaqjen ‘Riparimi’ me regji nga Cesar Brie dhe aktor nga të tre shtetet. Teatri Metropol si pjesë e këtij projekti ka hulumtuar specifikisht mbi historikun dhe zhvillimin e ngjarjeve sociale dhe kulturore të lagjes së Kombinatit”, thuhet në njoftimin e Teatrit.
Sipas drejtoreshës Demaj, vetë projekti ka për qëllim të tregojë se është e mundur të shqyrtohen shumë vendndodhje të rajonit nga një këndvështrim i vetëm, duke hedhur dritë mbi shumë të përbashkëta dhe pika kontakti midis qytetarëve dhe komuniteteve të territoreve të ndryshme të përfshira në projekt.
“Gjatë kësaj periudhe të gjatë që nga koha e nisjes së projekti AIDA janë zhvilluar një sërë aktivitetesh artistike. Ka nisur me një kërkim studimor, me veprën e shkruar nga Cesar Brie e deri në premierën e shfaqjes vënë në skenën nën drejtimin artistik të Salvatore Tramçerës”.
Jehona e festivalit do të vijojë deri më 19 shtator, por për shkak të Covid-19 disa prej këtyre shfaqjeve do të mund t’i gjejmë më vonë edhe në kanalet virtuale të Teatrit Metropol.
Kalendari i festivalit 6-19 shtator
Në 6 shtator është “N’Konak” koncert nga Ansambli Tirana, koreograf Sedmir Memia (amfiteatri i Tiranës), që do të vijojë dhe në datën 7 po te i njëjti vend. Në 8 shtator është “Këngëtarja Tullace”, danc-teatër me regji dhe koreografi nga Gjergj Prevazi (amfiteatri i Tiranës), që do të vijojë dhe më datë 9 të këtij muaji.
Në Teatrin Metropol nga data 9 shtator nis shfaqja premierë “Kapter Behari” nga Stefan Çapaliku, që do të jetë në skenë dhe në datat 10, 11, 12. Më 15 shtator është “Riparimi” shfaqje e përbashkët Itali-Shqipëri- Mal i Zi, me regji nga Cesar Brie (teatri Metropol). Në 16 shtator “Il Companatico” shfaqje nga Salvatore Tramacera, (teatri Metropol). Në datën 17 shtator do të jetë një takim me studiues për të diskutuar mbi temën e Kombinatit. Më datë 18 shtator është “Audienca e Vaclav Havelit”, shfaqje me regji të Agon Myftarit (teatri Metropol) dhe në 19 shtator koncerti “N’Konak” nga Ansambli Tirana me koreograf Sedmir Memia do të zhvillohet te Sheshi i Kombinatit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.