Art dhe Kulture

“Metrofest 4” e gjen rrugën te publiku përmes podcastit

Nga Luljeta Nelallari – Në një kohë të papërshtatshme për teatrin dhe artin në përgjithësi, Teatri Metropol ka gjetur mënyra për t’i qëndruar pranë publikut, duke sjellë në distancë festivalin “Metrofest 4”, festivali i veprës shqiptare të arkivit.

Duke nisur nga 5 dhjetori, Teatri Metropol i “afishoi” publikut atë që njihet deri më tani si drama e parë e shkruar në gjuhën shqipe “Emira” nga Antonio Santori, pjesa e parë e së cilës është botuar më 1883 nga Jeronim De Rada. Tragjikomedia “Emira” është cilësuar nga studiuesit si drama e parë shqipe në prozë që njihet deri më tani.

Përmbledhja e tragjikomedisë “Emira” do të vijojë në 5 seri në formatin podcast, ku jepen copëza të njohjes së historisë, gjuhës shqipe dhe përdorimit të saj në kohëra më të hershme. Mes ngjyrash mjaft të gjalla, kjo dramë na përcon jetën e arbëreshëve me një të folme arbëreshe të krahinës Kalabrisë, me personazhe mjaft interesantë që paraqesin jetën e banorëve të fshatit Picilia, në një kohë historike kur cubëria trazonte banorët dhe shteti i sapokrijuar i Italisë, për të mbajtur rendin dhe rregullin, dërgon komandant Fumellin.

Vepra flet për dy vajza të reja, Emira dhe Kallina, që dashurojnë të njëjtin djalë, Mirianin, mirëpo atij i pëlqen Emira dhe jo Kallina, mirëpo këtë e ka lakmi dhe Kallo njeri cub e hajdut, që i vjen rrotull edhe Kallinës. Krahina është e trazuar nga hajdutët dhe përplasjet me rendin shtetëror, që po përpiqej të vendosej. E cilësuar nga autori si tragjikomedi, ajo ka fund të gëzuar me dasmën e Emirës dhe bashkimin e Kallinës me Albencin.

Regjisorja Sonila Kapidani rrëfen për Gazetën Si se kjo vepër kishte 3-4 vite që diskutohej, por u vendos që t’i përcillej publikut pas njohjes me botimin kritik, të cilin e sollëm në formatin podcast.

“Kishte 3-4 vite që e diskutonim këtë vepër dhe mundësinë e takimit me publikun dhe kur u njohëm me botimin kritik që sugjeronte dëshminë origjinale menduam se kishte ardhur koha.  Me një gamë botimesh e ripunimesh, kjo tragjikomedi ka nxitur disa studiues të kërkojnë dhe prezantojnë punime dhe mbështetur mbi këtë më të fundit nga ASA dhe prof.ass. Merita Bruci “Emira – Rrugëtimi i tekstit letrar”, ne kemi punuar dhe prodhuar të përmbledhur në 5 seri me formatin podcast për publikun. Me pjesëmarrjen e aktorëve: Amri Hasanlliu; Armela Demaj; Elona Hyseni; Edvin Mustafa, Ketjona Pecnikaj; Klesta Shero; Klea Konomi; Klodiana Keco; Margent Caushi, Roerd Toçe; Sedmir Memia; Mario Bali; Mihal Kaçi; Rexhina Mollaymeri; Xhino Musollari. Procesi ka nisur me punëtori ‘Lexim i drejtuar” mbi gjuhën dhe dialektet, një punë shumë interesante dhe intensive për stafin artistik dhe edukativ”, shprehet Kapidani.

Regjisorja Sonila Kapidani

Regjisorja thotë se drama nisi më 5 dhjetor, por do të pasojë me një vazhdimësi edukative në fillimin e vitit të ri, një modul ndihmues për shkolla me fragmente nga ‘Emira” dhe të japë informacione për nxënësit.

“Në datën 5 dhjetor ka qenë prezantimi i serisë së parë dhe vazhdimet në datat 07-10-14-2, në orën 19:00. Ndërsa në datën 7 dhjetor u zhvillua një tryezë bisedash (kombinim të pjesëmarrëve në sallën ‘Shekspir” të TM me të ftuar mes videos nga Italia) mbi fillimet e dramaturgjisë shqipe, autorin, trashëgiminë dhe përcjelljen e saj, gjuhën dhe veçoritë e saj dhe punën e aktorëve për të gjalluar atë. Pjesë e kësaj tryeze ishin edhe të ftuar nga Komuniteti Arbëresh në Itali, të cilëve u jemi mirënjohës: prof. Fernanda Pugliese, znj.Lucia Martino, këngëtarja Silvana Likursi, Lucia Martino mësuese dhe presidente e një grupi teatror dhe Emilia Mblajioti, drejtoreshë e një shkolle në Frashineto, të cilët përmes videos prezantuan përvoja, mendime dhe këndvështrime mbi rëndësinë e njohjes dhe trashëgimisë dhe fuqisë që teatri ka në aspektin edukativ”, thotë ndër të tjera Kapidani.

Sa i përket interpretimit pa publik, Kapidani thotë se Teatri Metropol arriti të përshtatet me këtë realitet, duke përdorur versionin audio.

“Thuhet se e qeshura ka nevojë për jehonë dhe Teatri këtë jehonë e ka mundësinë ta përftojë në dy dimensione, të atypëratyshmin dhe atë më pas kur njerëzit që kanë qenë në salla ua rrëfejnë një punë të bukur të tjerëve. Të atypëratyshmin keni qenë të detyruar të na mungojë e t’i mungojmë pa masë. Jemi duke jetuar një tjetër realitet dhe mund të them se fakti që Festivali MetroFest arriti ta përjetojë këtë përshtatje prej rrethanave më bën të jem e kënaqur”, thotë ajo, ndërsa shton se dramën “e kanë ndjekur dhe na vijnë vlerësime në secilën ditë të shfaqjeve edhe nga këtu, por edhe nga Italia. Them se e kemi gjetur dobishëm përcjelljen e këtij viti për të bërë që mes dramës shqipe të ndjehemi bashkë edhe me shqiptarët që jetojnë në Itali e vende të tjera”.

Kapidani përfundon se synimi i këtij festivali ka qenë më shumë se sa vetëm argëtimi i publikut me repertorin e pasur, formimi i një mendimi estetik e qytetar, pasurimi i empatisë njerëzore dhe rritja e një vetëdije apo të kuptuarit e trashëgimisë sonë.

“Ky Festival që në fillim është krijuar që përmes njohjes së trashëgimisë teatrore të arkivit duke e bërë atë (duke sprovuar forma të reja artistike për të komunikuar me publikun), Teatri të sjellë tek artistët dhe publiku i gjerë copëza të njohjes së historisë, gjuhës shqipe dhe përdorimit të saj në kohë dhe proceseve identitare, kulturore dhe shoqërore. Me një fjalë të gjenden mundësi që veprat e arkivit të njihen jo vetëm si letërsi dramatike dhe artistëve t’u jepet mundësia që të eksplorojnë forma bashkëkohore të përcjelljes në publik të një teksti të shkruar në kohë më të hershme dhe tashmë e kemi bërë këtë duke njohur edhe artistët, edhe publikun me vepra që nuk njiheshin më parë, por edhe duke u vlerësuar me çmime në Festivale të Teatrit”, përfundon Kapidani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë