Menaxhim

Mete: Po bashkëpunojmë me BB për sigurimin e banesave nga tërmeti. Domosdoshmëri edhe për tokën bujqësore

Nga Gazeta ‘SI’ – Ministria e Financave dhe Ekonomisë bashkë me Autoritetin Monetar Financiar AMF, kanë zvilluar sot një konferencë për tregun e sigurimeve në vend, ku u ndalën tek ai i detyrueshëm.

Ministri i Financave, Ervin Mete tha në fjalën e tij se me ndihmë të Bankës Botërore po punohet për një skemë kombëtare të sigurimit nga tërmetet.

“Është e rëndësishme që ky sigurim të jetë me kosto të përballueshme për qytetarët dhe të bazohet në standardet më të mira të menaxhimit të rrezikut. Shqipëria u përball në vitin 2019 me një tërmet me pasoja të rënda, me efekte shkatërrimtare dhe humbje jete. Dëmet e shkaktuara u vlerësuan në rreth 1.1 miliardë euro, ose 7.5% e PBB-së. Nga këto, shoqëritë e sigurimit paguan rreth 40 milionë euro dëme për qytetarët dhe bizneset e dëmtuara. Tërmeti nxori në pah një tjetër aspekt, që sigurimi vullnetar i banesave është në nivele shumë të ulëta dhe në pjesën më të madhe i diktuar nga bankat për kreditë hipotekore” u shpreh ministri Mete.

Ai shtoi se po konsiderohet përfshirja në skemë edhe sigurimi i tokës bujqësore, sektor tepër i rëndësishëm i ekonomike dhe i ekspozuar ndaj ndryshimeve klimatike.

“Sigurimi i bujqësisë mund të ishte një mjet i rëndësishëm i menaxhimit të rrezikut që ndihmon fermerët të mbrohen nga humbjet financiare për shkak të fatkeqësive natyrore dhe kushteve klimatike. Ky sigurim është pak i zhvilluar në Shqipëri, ndaj ndarja e eksperiencave më të mira në këtë drejtim do të ishte e dobishme për një avancim sa më të mirëmenduar”, përfundoi ministri i Financave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë