Nga Gazeta ‘SI’ – Ministri i Financave, Ervin Mete ishte sot në mbledhjen e Komisionit për Çështjet Ligjore dhe atë për Çështjet Europiane, ku prezantoi ligjin e ri për koncesionin e pullave fiskale.
Në fjalën e mbajtur, Ministri shpjegoi se qëllimi për të cilin vjen sot projektligji lidhet ngushtësisht me një proces të përcaktuar që është heqja e koncesionarit të pullave të akcizës nga ligji dhe theksimi që tashmë ky është monopol shtetëror, pra prodhimi dhe shpërndarja e pullave dhe do të realizohet nga një person juridik publik i autorizuar nga Këshilli i Ministrave.
“Në ligjin e akcizave ka qenë i parashikuar koncesionari që ofronte shërbimin e pullave fiskale. Duke qenë se ky koncesion përfundon më 31 dhjetor të këtij viti dhe do t’i kalojë shtetit. Si koncesionari ashtu edhe procedurat të hiqen nga ky ligj dhe të theksohen që pullat fiskale janë monopol shtetëror dhe Këshilli i ministrave do caktojë një person juridik publik të autorizuar për prodhimin dhe shpërndarjen e pullave fiskale dhe elementëve të sigurisë. Që në dhjetor të vitit të kaluar është ngritur një grup pune për të menaxhuar procesin e daljes. Përfundon në 31 dhjetor dhe ka lindur nevoja për të ndryshuar ligjin e akcizës për të hequr koncesionarin e pullave”, tha ministri në fjalën e tij.
Me urdhër të Ministrit të Financave është ngritur një grup i gjerë pune, vjet në dhjetor, që po ndjek procedurat e përmbylljes së koncesionit të pullave fiskale.
Koncesioni përfundon në 31 dhjetor të këtij viti dhe më pas do të vazhdojë të ushtrohet prodhimi dhe shpërndarja e pullave nga Shtypshkronja e Letrave me Vlerë, theksoi Ministri.
Duke qenë se koncesionari përmendej në një sërë nenesh të ligjit dhe ishte parashikuar që ky proces bëhej nga koncesionari dhe kjo ishte në ligj, ligji po pwson ndryshime.
Ministri u shpreh se ky ka qenë një koncesion i kushtetueshëm dhe qëndrimi ynë është që do të duhet të ofrohet me kosto më të ulëta në të ardhmen.
“Qëndrimi ynë paraprak është që në të ardhmen të ofrohet me një kosto më të ulët. Do ketë një analizë të posaçme, por ky ka qenë një koncesion i kushtueshëm edhe në krahasim me rajonin dhe qëndrimi ynë që në të ardhmen të ofrohet me një kosto më të ulët dhe besoj që edhe nga ana e biznesit do jetë e mirëpritur”, sqaroi ministri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.