Politike

Metaj kundër amnistisë fiskale: Minon procesin e negociatave

Gazeta Si - Ilir Metaj është në të njëjtën linjë me partnerët ndërkombëtarë, duke i bërë thirrje kryeministrit Edi Rama të tërhiqet nga nisma e amnistisë fiskale.

Kreu i Partisë së Lirisë është kundër draftit të propozuar nga qeveria, duke hedhur akuza se është një ligj që vjen me urdhër nga bota e krimit.

“Rama të tërhiqet menjëherë nga ligji për amnistinë fiskale. Ligji është urdhëruar që të bëhet nga bota e krimit, për të kriminalizuar ekonominë dhe gjithë institucionet tona, - tha ai në një konferencë për mediat. - Në këtë mënyrë do të goditej dhe dëmtohej biznesi i ndershëm, i cili do të falimenton.  Në këtë mënyrë do të largoheshin nga vendi edhe ato investitorë të mirë që kanë mbetur, do të minohej edhe besimi tek shteti. Do minoheshin përpjekjet për të luftuar krimin e organizuar. Do minohet procesi i nisjes së negociatave”.

Meta kërkoi heqjen dorë në mënyrë urgjente dhe bëri thirrje të zbatohen udhëzimet e BE-së dhe FMN-së.

“Krimi s’mund të jetë motor i zhvillimit të vendit. Kjo ndodh vetëm në narkoshtete”.

Kjo deklaratë e Metës vjen një ditë pasi ambasadorja amerikane Yuri Kim dhe ndërkombëtarët e tjerë në Tiranë mbajtën një qëndrim kundër draftit të aministisë fiskale.

Më pas Meta komentoi edhe shtyrjen e vendimit të fashës 800 KË për konsumatorët familjarë.

Ai ka akuzuar ERE-n për shtyrjen e fashës, ku sipas tij këto vendime janë tregues të mos ekzistencës së shtetit të së drejtës.

Meta gjithashtu shtoi se ERE ka tejkaluar kompetencat, pasi sipas tij nuk mund të përcaktojë KESH shifrat tarifore.

“Ky vendim i marrë i shpallur, i zhbërë, në mënyrat më të turpshme tregon edhe njëherë që nuk ekziston shteti i së drejtës. Sepse ajo që ka ndodhur është shumë e rëndë, me të dyja këto vendime sidomos me këtë të sotmen është shpallur mos ekzistenca e ERE-s. Sepse vendimi i kësaj të fundit nuk ishte i bazuar në asnjë vendim. Është një rast i paprecedente që KESH të përcaktojë se kush janë fashat tarifore. Për më tepër që tejkalim të kompetencave. Pra ERE është bazuar vetëm mbi këtë dhe është në konflikt të qartë interesi, sepse s’mund të mbulohen duke katërfishuar çmimet. Kjo tregon që shteti i së drejtës ka rënë, që kemi në krye një kryeministër provokator, i cili provokon, qytetarët, taksapaguesit”, - tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë