Lajme

Meta vazhdon luftën me qeverine, kthen tjetër ligj për rishqyrtim

Me një vendim të fundit zyrtar, Institucioni i Presidentit të Republikës bën të ditur se është dekretuar shpallja e 3 ligjeve, ndërkohë që një ligj tjetër është kthyer për shqyrtim.
Ligjet e dekretuar nga Presidenti Ilir Meta janë ai për mbrojtjen e faunës së egër, për ratifikimin e marrëveshjes së huas dhe për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit. Në njoftimin e presidencës sqarohet pse është kthyer për rishqyrtim ligji për planifikimin dhe zhvillimin e territorit. Argumentet për kthimin e ligjit në fjalë kanë të bëjnë me faktin se nuk ka konsultë me ministritë e tjera, që lidhen me përmbajtjen, efektet e aktit dhe grupet e interesit. Gjithashtu, thuhet se neni 8 nu është i plotë dhe është i paqartë.

Vendimi i dekretimit për shpalljen e tre ligjeve:

Dekret me nr.11238, datë 26.07.2019, “Për shpalljen e ligjit nr. 46/2019 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10 006, datë 23.10.2008, “Për mbrojtjen e faunës së egër”, të ndryshuar”.

Dekret me nr.11239, datë 26.07.2019, “Për shpalljen e ligjit nr. 49/2019 “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, (huamarrësi), Fondit Shqiptar të Zhvillimit (agjencia e zbatimit të projektit), dhe KfË Frankfurt Am Main (KfË), për programin e furnizimit me ujë të zonave rurale IV”.

Dekret me nr.11240, datë 26.07.2019, “Për shpalljen e ligjit nr. 56/2019 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9636, datë 6.11.2006, “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”, të ndryshuar”.

Argumentet kryesore për ligjin i kthyer për shqyrtim
Presidentit të Republikës ka vendosur kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin ‘Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit’, të ndryshuar’”, me qëllim rishikimin dhe përmirësimin e nenit 8 të këtij ligji. Presidenti i Republikës shqyrtoi ligjin, duke bërë një analizë të thelluar të përmbajtjes së tij në raport me respektimin e parimeve kushtetuese dhe interesin publik.

Ky projektligj është nisëm ligjore e Këshillit të Ministrave e përgatitur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Nga shqyrtimi rezulton se nuk është konsultuar me ministritë e tjera që lidhen me përmbajtjen dhe efektet e aktit, apo me grupet e interesit. Për më tepër përveç se procesi i konsultimit publik dhe i bashkërendimit të detyrueshëm institucional nuk është kryer, Këshilli i Ministrave ka kërkuar dhe Kuvendi i Shqipërisë e ka pranuar duke realizuar shqyrtimin e projektligjit me procedurë të përshpejtuar. Nuk rezulton e arsyetuar se përse është shmangur procesi i konsultimit publik dhe i bashkërendimit institucional dhe cila është nevoja urgjente e shfaqur për shqyrtimin e këtij projektligji me procedurë të përshpejtuar.

Neni 8 i ligjit ka parashikuar disa shtesa në nenin 48 të ligjit aktual nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar” të cilat rregullojnë procesin e ndryshimit të projekteve ndërtimore gjatë fazës së zbatimit të tyre. Presidenti i Republikës çmon se neni 8 i ligjit është jo i plotë dhe i paqartë në formulim. Sipas kësaj dispozite në procesin e rishikimit të projektit, nuk parashikohet dhënia e pëlqimit apo konsultimi me pronarët e trojeve mbi të cilin realizohet vepra. Për këtë shkak, zbatimi i këtij neni sipas formulimit aktual, mund të sjellë aplikim të gabuar në praktikë apo keqinterpretim me pasojë cenimin e parimit kushtetues të sigurisë juridike dhe të interesit publik.

Aplikimi i pikës 2 të nenit 8 mund të sjellë konflikt të vazhdueshëm midis sipërmarrësve apo investitorëve me pronarët e pasurive pronë private, mbi të cilat realizohet ndërtimi. Dispozitat ligjore dhe ndërhyrjet në legjislacion që kanë lidhje me të drejtën e pronësisë apo me të drejtat e tjera reale që lidhen me të, duhet të jenë të mirëmenduara, të qarta dhe të plota me qëllim që, aplikimi në praktikë të mos cenojë aspak dhe në asnjë rast këtë të drejtë.

Me paqartësinë dhe dykuptimësinë që ka dispozita e nenit 8 të ligjit bëhet e pakuptueshme mbi mënyrën sesi ajo do të aplikohet në praktikë. Pikërisht kjo paqartësi dhe mungesë rregullimi prej ligjit, përbën cenim të parimit të sigurisë juridike. Gjithashtu nëse qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë, nëpërmjet këtyre ndryshime në ligj synojnë të rregullojnë ato çështje që kanë lindur, apo lidhen me rishikimin e kushteve të lejes dhe ndryshimin e projektit gjatë ndërtimit për veprat ndërtimore të sipërmarrjeve publike, atëherë ky qëllim duhet të shprehet qartë dhe të parashikohet në mënyrë të plotë në dispozitën e propozuar për ndryshim, duke përmirësuar kështu përmbajtjen e saj.

Presidenti i Republikës, vlerëson të domosdoshme të theksojë se, ndërhyrjet në dispozitat e nenit 48 të ligjit parashikojnë mundësinë e ndryshimit të projekteve ndërtimore publike gjatë fazës së zbatimit të tyre, duhet të jenë në harmoni me kuadrin ligjor në fuqi të prokurimit publik dhe partneritetit publik privat.
Presidenti i Republikës vlerëson se është çasti që neni 8 i ligjit duhet të rishikohet edhe një herë nga Kuvendi me qëllim përmirësimin, plotësimin dhe qartësimin tërësor të dispozitës ligjore, në mënyrë që aplikimi i saj jo vetëm të sigurojë një bazë ligjore të shëndoshë për organet publike, por të garantojë që të drejtat e pronësisë të shtetasve apo çdo e drejtë tjetër reale e lidhur me të, të mbrohet dhe të mos cenohet nga zbatimi në praktikë i këtij ndryshimi ligjor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë