Presidenti Ilir Meta ka uruar të gjithë besimtarët ortodoksë dhe popullin shqiptar në vigjilje të kremtimit të Ditës së Ringjalljes së Krishtit.
Meta në urimin e tij, thotë se dëshiron mbarësi, shëndet, paqe e begati në të gjitha familjet. Presidenti shkruan shkruan se dita e Ringjalljes së Krishtit gjithashtu “na kujton nevojën për të forcuar jo vetëm harmoninë tonë të shkëlqyer ndërfetare, por edhe solidaritetin me njerëzit në nevojë, të sëmurët, të pamundurit, fëmijët e të moshuarit, që kanë aq shumë nevojë për përkujdesje e dashuri të përhershme”.
Urimi i plotë i presidentit Ilir Meta
Në vigjilje të kremtimit të Ditës së Ringjalljes së Krishtit, u uroj nga zemra besimtarëve ortodoksë dhe mbarë popullit shqiptar: Nga mot gëzuar Pashkët! Mbarësi, shëndet, paqe e begati në familjet tuaja!
Festa e Pashkëve dhe e dritës që nuk perëndon kurrë, na kujton sot se para malit të së keqes, padrejtësive, veseve, frikës e zhgënjimit, mosbesimit e arrogancës, korrupsionit, dhunës dhe çdo fenomeni negativ që vret paqen, drejtësinë e barazinë sociale dhe helmon rëndë shoqërinë, shpresa dhe e mira nuk vdesin kurrë.
Me besimin në Zot dhe duke përqafuar gjithmonë vlerat më të mira hyjnore, morale e sociale, por edhe kombëtare, me dashuri, harmoni të plotë, dialog, mirëkuptim, bashkëpunim e vëllazërim, secili prej nesh dhe shoqëria jonë në tërësi, mund të tejkalojë çdo sfidë, pavarësisht sakrificave, për të ecur e sigurt drejt së ardhmes më të mirë, në familjen europiane.
Të dashur miq,
Dita e Ringjalljes së Krishtit gjithashtu na kujton nevojën për të forcuar jo vetëm harmoninë tonë të shkëlqyer ndërfetare, por edhe solidaritetin me njerëzit në nevojë, të sëmurët, të pamundurit, fëmijët e të moshuarit, që kanë aq shumë nevojë për përkujdesje e dashuri të përhershme.
Duke u përcjellë të gjithëve urimet e mia më të mira në prag të kësaj Dite të Shenjtë, jam i bindur se shpresat te jeta më e mirë do të ringjallen për mbarë shqiptarët!
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




