Pas votimeve të së dielës dhe në një kohë që ka mbaruar edhe procesi i numërimit të Votave, presidenti Ilir Meta në një konferencë për shtyp ka shpërthyer ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Për mua demokracia është e panegociueshme me asnjë shqiptar, me asnjë ambasadë apo me gjithë botën. Ambasadat flasin për dialog, por në fakt nxisin debatin. Të heqim dorë nga lojërat e ambasadave”, u shpreh i prerë presidenti Ilir Meta.
Si zgjidhje të krizës ai ka propozuar që më 13 tetor do të ketë zgjedhje të përgjithshme, vendore dhe presidenciale.
“Jam këtu vetëm falë demokracisë. Unë u kam treguar rrugën e zgjidhjes për muaj të tërë.
Zgjedhjet janë me 13 tetor dhe dekretin e presidentit vetëm Gjykata Kushtetuese mund ta diskutojë. Unë jap zgjidhjen time si president”, tha ndër të tjera ai.
Ndër të tjera Meta i është drejtuar me një mesazh të prerë edhe Xhorxh Sorosit, duke i thënë se nuk është i racës së Gruevskit, por është i racës së Avni Rustemit dhe Mic Sokolit dhe do t’i dalë për Zot Shqipërisë.
“Kam dy fjalë dhe për Sorosin. I them Sorosit t’i gëzojë miliardat e veta, Shqipëria është vend i vogël për përmasat e tij, të vazhdojë të investojë në tregjet e mëdha, se Ilir Meta është Presidenti i Shqipërisë dhe do i dalë për Zot Shqipërisë, nuk është i racës së Gruevskit, është i racës së Avni Rustemit”, ka theksuar Meta.
Strategjia e presidentit Meta tanimë është “Rama reflekto” dhe jo “Rama ik”.
Ambasada Amerikane në Tiranë dhe Bashkimi Europian dolën mbrëmë me një deklaratë ku paraprakisht njohën procesin. Ndër të tjera ambasada u shpreh se “ata që dëshirojnë të sfidojnë rezultatin e zgjedhjeve, mund të presin Gjykatën Kushtetuese”.
Meta deklaroi se nëse Rama nuk i pranon zgjedhjet e parakohshme, kriza do thellohet edhe më shumë.
“Kriza do thellohet më tej, ta zgjidhë si të dojë, krizën e ka ai dhe ata. Rama po krijon një juntë që do të asgjësojë çdo institucion, që do ta nxjerrë vendin nga rruga europiane dhe çelja e negociatave. Në fund e di si mund të thotë ai, që fajin e ka Meta që më bëri kryetar bashkie, unë i papërgjegjshëm isha, të vijë këtu kur të dojë, edhe në takim me prindër, ata që ka me vete ai”, tha ndër të tjera presidenti Meta.
Meta iu përgjigj edhe interesit të gazetarëve lidhur me marrëdhëniet me SHBA dhe nëse po futet në kurs përplasje me Washingtonin?
“Të kristalta, të sinqerta dhe jashtë çdo lloj hije dyshimi sa i takon përputhjes së vendimeve të mia dhe interesave strategjike të SHBA në Shqipëri dhe Ballkan. Kam qenë i qartë, i drejtë dhe votimet i vlerëson ODIHR, pastaj çdo shtet të mbajë qëndrimet e tij janë të respektuar”, u shpreh ndër të tjera presidenti Meta.
Meta gjatë konferencës foli edhe për një strukturë të organizuar që e quajti PPPd kundër interesave të vendit me në krye kryeministrin Edi Rama.
Duke sqaruar para gazetarëve kuptimin e secilës germë, bëri me dije se në mes janë dhe ndërkombëtarët. Meta i ka sulmuar duke thënë se disa punojnë për interesat e kryeministrit Rama.
PPPD – Politikanët, Propaganda, Policia (Rrugët policeske që ndiqen për të shantazhuar sipërmarrës, gazetarë, opozitarë, qytetarë), diplomatët që kanë braktisur parimet perëndimore dhe demokratike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



