Lajme

Meta sërish kundër qeverisë, refuzon shkarkimin e rektorit Koni

Zyra për shtyp e Presidenti i Republikës, Ilir Meta njoftoi sot se ka vendosur të refuzojë kërkesën e qeverisë për të shkarkuar nga detyra rektorin e Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Mynyr Koni.

Dekreti i sotëm presidencial erdhi pak ditë pasi ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, e pezulloi Konin nga detyra, pas kritikave që kryeministri Edi Rama kishte bërë ndaj tij gjatë protestave studentore.

Besa Shahini iu drejtua Presidentit më pas, duke kërkuar prej tij dekretimin e shkarkimit përfundimtar të Konit nga detyra.

Kjo kërkesë u hodh poshtë dhe sot Meta shpalli dekretin për rrëzimin e propozimit të datës 12 prill 2019 të Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, për shkarkimin nga detyra të Rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni.

Me të njëjtin dekret, Meta urdhëron vijimin e ushtrimit të detyrës nga Rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, sipas Dekretit të Presidentit të Republikës nr.9609, datë 26 maj 2016.

“Pas një analize të thelluar të kërkesës për shkarkim të MAS, por dhe pretendimeve të Rektorit Koni, Presidenti i Republikës vlerëson se në kushtet aktuale, bazuar në propozimin e bërë, marrja e një vendimi për shkarkimin e Rektorit të Universitetit të Tiranës, do të cenonte rëndë dhe, në tërësi, autonominë e institucioneve të arsimit të lartë dhe lirinë akademike të vendosur dhe të mbrojtur nga Kushtetuta, por dhe nga jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese, pasi ushtrimi i kompetencave kontrolluese nga Ministri i Arsimit në këtë rast për gjithë sa u parashtrua më sipër nuk është kryer në mënyrë objektive, shteruese, proporcionale dhe transparente”, – thuhet në njoftimin e Presidencës.

Në argumentimin e tij, Meta, thotë se ka patur presion publik dhe të vazhdueshëm ndaj Konit, teksa shton se nuk kanë munguar përpjekjet për t’ja faturuar këtij të fundit, situatën në universitete. Ai e quan jo bindëse kërkesën e ministres Shahini dhe thekson se MASR ka kryer shkelje proceduriale.

Ministrja Besa Shahini pezulloi Konin, pasi sipas qeverisë, Koni nuk ka bashkëpunuar me ta duke bllokuar kështu reformimin e Universitetit të Tiranës pas protestës së studentëve.

Dekreti për Konin vjen pak orë pasi Kuvendi rrëzoi dekretin tjetër të Metës që kthen mbrapsht për rishqyrtim ligjin për Vettingun në polici.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë