Politike

Meta rikthen koncesionet dhe PPP-të. Çfarë po ‘gatuan’ qeveria deri në tetor?

Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ndryshimet e miratuara nga mazhoranca në ligjin për koncesionet dhe partneritetin publik-privat. Në njoftimin e publikuar nga Presidenca thuhet se dy nene të ligjit krijojnë “hapësira të nevojshme për të prodhuar sërish pasoja dhe qëllime klienteliste”.

Presidenti kundërshton nene 17 dhe 18 të ligjit. Fillimisht këto nene përcaktonin ndalimin e ofertës së pakërkuar duke filluar që nga data 1 korrik, por me propozimin e Arben Ahmetajt, ato u ndryshuan, duke e shtyrë edhe me tre muaj dhënien pa kufizim të koncesioneve në çdo fushë të ekonomisë.

“I vetmi dokument që evidentohet se është krijuar nga Kuvendi i Shqipërisë, dhe që ka lidhje me këtë ligj përgjatë gjithë kësaj periudhe boshe 26 shkurt 2019 - 18 korrik 2019, është kërkesa e deputetit Arben Ahmetaj e datës 17 korrik 2019, i cili kërkonte seancës plenare ndryshimin pa argumenta të neneve 17 dhe 18 të projektligjit, për të shtyrë afatin e dhënies pa kufizim të koncesioneve në çdo fushë të ekonomisë së vendit, edhe për një afat 3-mujor shtesë deri në 1 tetor 2019”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Nisma për ndryshimin e ligjit për koncesionet dhe partneritetin publik-privat u ndërmor që në fillim të këtij viti, pas kritikave dhe paralajmërimeve edhe të organizmave ndërkombëtarë për të ndërhyrë në këtë pjesë. Presidenti thotë se pavarësisht kësaj, ndryshimet u zvarritën pa arsye.

“Projektligji në fjalë pasi u shqyrtua në datat 11, 18, 25 dhe 26 shkurt 2019 në Komisionet respektive Parlamentare, u shqyrtua në seancën plenare të datës 18.07.2019, duke u mbajtur pezull në mënyrë të paarsyetuar për një periudhë 4-mujore”, thuhet në njoftim.


Propozimi i kreut të Komisionit të Ekonomisë Arben Ahmetaj

Në ditë përpara seancës plenare, më 17 korrik 2019, gati një muaj më parë, ish Ministri i Financave, njëkohësisht kreu i Komsionit Kuvendor për Ekonominë dhe Financat Arben Ahmetaj i dërgoi kuvendit për miratim amendimin e projektligjin “Per koncesionet dhe partneritetin publik privat", i cili qëndronte në kuvend prej disa muajsh pasi ishte përgatitur në janar të këtij viti me synimin që të hynte në fuqi më datën 1 korrik 2019.

Në nenin 17 të projektligjit citohet se “Autoriteti kontraktues vazhdon procedurat për shqyrtimin dhe dhënien me koncesion vetëm për propozimet e pakërkuara, të paraqitura para datës 1 korrik 2019, për të cilat është krijuar nga autoriteti kontraktues Komisioni i koncesionit/PPP.”

Por amendimi i Ahmetaj, për nenin 17 të projektligjit parashikonin që pasi të miratohej, ligji të hynte në fuqi më1 tetor të 2019-ës.

Pas datës 1 korrik 2019 kur do ti vihej “trau” ofertave të pakërkuara, qeveria do të miratonte tre koncesione me këtë mënyrë investimi; Orikum-Dukat, Milot-Balldren dhe Thuman-Kashar.

Kërkimi i qëllimi të shtyrjes së hyrjes në fuqi të ligjit për koncesionet nga hartimi i tij në janar në korrik 2019, nuk la vend për dyshime, sepse miratimi i menjëhershëm i tre projekteve kocensionare me një vlerë totale të tre sëbashku 440 mln euro në muajin maj, i dha fund aludimeve, që për analogji, të lë të besosh se qeveria edhe pse me pushime verore, diç po gatuan që do të marrë jetë deri më 1 tetor 2019.

“Kemi propozuar kufizimin e të drejtës së identifikimit dhe zhvillimit të propozimeve të pakërkuara nga sektori privat, vetëm për realizimin e punimeve dhe/ose ofrimin e shërbimeve në porte, aeroporte, për prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike, energjisë për ngrohje dhe shpërndarjen e gazit natyror”- do të deklaronte Ministra e Financave Anila Denaj në parlament në seancën e 18 korrikut tek diskutohej projektligji për koncesionet.
Pas hyrjes në fuqi të këtij projektligji do të garantonte Ministrja Denaj, sektori privat nuk do të mund të propozojë projekte koncesioni/PPP, në formën e propozimit të pakërkuar për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale me rëndësi të veçantë.

Projektligji i ndryshuar do të parashikonte gjithashtu heqjen e mekanizmit të shpërblimit me pikë bonus, për propozime të pakërkuara.

Për të ruajtur interesin e sektorit privat me propozim projektesh do të zëvendësohej sistemi me pikë bonus me sistemin e kompensimit në vlerë monetare, në rastët kur propozuesi i pakërkuar nuk shpallet fitues.

Vlera e kompensimit nuk mund të jetë më e lartë se 1% e vlerës së investimit.
Projektligji do të sillte në vëmendje përcaktimin e qartë të rolit dhe përgjegjësive të ministrisë përgjegjëse për financat në lidhje me vlerësimin, miratimin e të gjithë projekteve dhe ecurinë e kontratave të koncesionit/PPP.

Një parashikim tjetër do të ishte paraqitja e kontratës për vlerësim përpara nënshkrimit të kontratës pranë ministrisë përgjegjëse për financat.

Së katërti, me qëllim rritjen e cilësisë së studimeve të fizibilitetit mbi projektet e koncesionit/PPP, do të parashikohejr në nenin 6 të këtij projektligji krijimi i Komiteti i Përzgjedhjes së Projekteve të Koncesionit/PPP.

Ky Komitet do të ishte një organ kolegjial me objekt kryesor të veprimtarisë përzgjedhjen e projekteve të Koncesionit/PPP të cilët do të asistohen me ekspertizë të specializuar për hartimin e studimeve të fizibilitetit dhe/ose oponencën e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë