Politike

Meta ofrohet si negociator për bashkimin e opozitës dhe ka një mesazh: Kryeministri nga opozita në 2025 (jo unë dhe Berisha) por përtej partive

Në mbledhjen e Komitetit Drejtues të PL-së, Ilir Meta tha se duhet një strategji konkrete nga ana e opozitës.

“Sfida reale e opozitës sot nuk është vetëm të denoncojë kush është e keqja e këtij vendi, por sesi ta mundim atë pasi të gjithë qytetarët e dinë dhe po e përjetojnë në shpinën e tyre çdo ditë.

Ne duhet të mobilizohemi shpejt, ne duhet të kemi një plan veprimi me alternativa, propozime konkrete dhe me ide të reja, me njerëz të rinj dhe energjikë, që duan të kontribuojnë për një Shqipëri të drejtë, pozitive dhe të begatë.

Ndaj vlerësojmë se forcimi i opozitarizmit dhe konsolidimi i opozitës nuk është thjesht dhe vetëm një çështje e partive, anëtarësisë apo liderëve të tyre, por një çështje themelore e ekzistencës së demokracisë, pluralizmit politik, por mbi të gjitha, çështje ekzistenciale e qytetarëve dhe shoqërisë.

Partia e Lirisë është e bindur se çdo kontribut për forcimin e opozitarizmit fillon me forcimin e vetë Partisë së Lirisë, në zgjerimin e mbështetjes së saj qytetare dhe përfaqësimin e qytetarit dhe fermerit të thjeshtë, të mësuesit e mjekut, profesionistit e biznesmenit, që bazohet në punën e ndershme, të pedagogut e studentit, të veteranit dhe pensionistit...”, tha ai

Meta u vetofrua si negociator për një konsensus sa më të gjere brenda opozitës dhe përcolli një mesazh konkret se kush duhet të jetë kandidati i ardhshëm nga opozita duke përjashtuar veten por edhe Berishën.

“Partia e Lirisë është e angazhuar të përfaqësojë të papërfaqësuarin, të kthejë besimin tek i zhgënjyeri, angazhimin tek indiferenti, optimizmin dhe shpresën tek të rinjtë.

Partia e Lirisë ka gatishmërinë dhe vendosmërinë për të kontribuar me luajalitet dhe përkushtim në krijimin e një konsensusi të gjerë për të forcuar përfaqësimin e qytetarëve dhe forcimin e opozitarizmit.

Partia e Lirisë është e gatshme të kontribuojë në konsolidimin e gjithë forcave opozitare, në një organizim konsensual dhe solid, për të përgatitur dhe paraqitur përpara shqiptarëve ofertën politike që do t’u ktheje atyre sovranitetin e zgjedhjes, do t’u kthejë qeverisjen e përkujdesur e llogaridhënëse, të kthejë të larguarit dhe të shpejtojë integrimin në Europë, duke fituar zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Partia e Lirisë është e vendosur, që në funksion të këtij qëllimi të mirëpresë çdo kontribut nga brenda dhe jashtë politikës që do t’i shërbejë një kosensusi, pjesëmarrje e përfaqësimi sa më të gjerë të forcave opozitare, duke filluar që nga votuesi i thjeshtë dhe deri në nivelin më të lartë të drejtimit të opozitës,  nëpërmjet zgjedhjes së një kandidati për Kryeministër, që do të gëzonte një mbështetje sa më të gjerë politike dhe shoqërore.

Politika ekziston jo për t’u shërbyer liderëve apo interesave të tyre por si shërbim për qytetarët, si mundësi për t’i bërë ata më të mirëqenë, për ta bërë vendin të qëndrojë me dinjitet krah fqinjëve, partnerëve dhe aleatëve”, tha Meta.

Po pse pikerisht tani ky angazhim i Metes?

“Zgjedhjet e 14 majit prodhuan një realitet tjetër për opozitës sa i përket pushtetit lokal sepse ne u përfaqësuam në këshillat bashkiakë. Ne ishim jashtë institucioneve dhe hymë në institucione. Pas 14 majit ka pasur një moment reflektimi për mënyrën e pozicionimit të forcave politike në vend. Unë gjykoj që në këto momente është e rëndësishme konsolidimi i çdo faktori opozitar, me qëllim që të vihet përballë këtij regjimi që po thellohet në paligjshmëri, ka nevojë për konsolidim të rolit të opozitës, por mbi të gjitha ka nevojë për mesazhe të qarta që shkojnë direkt te shqetësimet e përditshme të qytetarëve

Ne jemi në koordinim me të gjithë frontin e bashkuar opozitar. Kemi qenë në koordinim të vazhdueshëm për aksionin opozitar. Sigurisht që ka rrahje mendimesh, ka alternativa dhe propozime të ndryshme, por gjykojmë se tanimë kemi hyrë në një fazë të nxehtë të situatës politike në vend ku opozita nuk e ka më shansin të gabojë, sa i përket konsolidimit të saj”, tha Endrit Braimllari te enjten ne mbremje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë