Rend dhe Ligj

Meta nxjerr dekretin: Besnik Muçi anëtar i Gjykatës Kushtetuese

Pas më shumë se një viti shkrirjeje dhe vakance të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti Ilir Meta ka propozuar Besnik Muçin si një prej anëtarëve. Në dekretin e nxjerrë, Meta thotë se është mbështetur në dokumentacionin e përcjellë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Pikërisht KED-ja i dërgoi një shkresë Presidentit mbi pikëzimin e kandidatëve që plotësojnë kriteret, duke realizuar kështu renditjen e pikëzimit. Në presidencë shkuan katër kandidatët Arta Vorpsi 89.642 pikë; Elsa Toska 85.428 pikë; Besnik Muçi 81.928 pikë dhe Regleta Panajoti 80.285 pikë. Sipas ligjit, presidenti ka disa ditë afat dhe nëse nuk e merr vendimin, atëherë kandidati i renditur i parë shpallet automatikisht anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
Presidenti në argumentin e tij thekson se KED nuk ka pasur mundësi që të propozojë kandidatë për lista të veçanta dhe se nuk ka vlerësuar barazinë gjinore, pasi tre emrat e tjerë janë gra. “Duke vlerësuar shumë të rëndësishëm rolin dhe rëndësinë që ka Gjykata Kushtetuese në mirëfunksionimin e shtetit të së drejtës, Presidenti i Republikës ka vendosur që të shprehet pa vonesë për emërimin e kandidatit të përzgjedhur prej tij, në mënyrë që kjo vendimmarrje të pasohet me një vendimmarrje të Kuvendit të Shqipërisë në zgjedhjen e anëtarit tjetër të Gjykatës Kushtetuese, me qëllim që Gjykata Kushtetuese të jetë sa më shpejt funksionale e aftë për të marrë vendime dhe për t’u dhënë zgjidhje kushtetuese një sërë çështjeve që shqetësojnë të gjithë jetën shoqërore në vend”, shprehet presidenti.
Të tre emrat e tjera janë paraqitur nga KED-ja dy herë për plotësimin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. Në listën e dërguar në Kuvend është edhe emri i Besnik Muçit, por ndërkohë përzgjedhja e presidentit e shmang atë nga votimi në Parlament.

Muçi në Vetting ende, pritet vendimi i KPA

Por edhe pse Meta ka firmosur kandidatin si anëtar për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, ai nuk e ka kaluar ende procesin e vettingut. Pas kalimit të fazës parë, në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, por që vendimi u ankimua në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i rekomandoi komisionerit publik ankimin e vendimit me argumentin se nuk justifikon pasurinë.
KPA zhvillojë seancën në zbatim të vendimit për marrjen si provë të dokumentit të DSIK-së, trupi gjykues vendosi t’i kërkojë organit kompetent që në një kohë sa më të arsyeshme, brenda limitit kohor prej 15 ditësh të përcaktuar me ligj, të kryejë deklasifikimin e dokumentit të konsideruar “sekret”. Vetë Muçi ka deklaruar se nuk ka fakte për situatën. dhe se Komisioneri Publik këmbëngulte t’i përdorte këto si prova por se nuk kanë asnjë vlerë për çështjen.
“Unë akuzohem se kam lidhje me dy persona të dënuar. Opinioni publik është helmuar me këtë informacion gjysmë të vërtetë përgjatë kësaj kohe, deri në momentin kur u deklasifikua dokumenti. Këmbëngulja e KP për ta përdorur si provë nuk ka asnjë vlerë për procesin në fjalë. Lidhja ime me këta persona kontraktuale, asgjë tjetër. I pari është administratori i kompanisë, i dënuar për moskallëzim krimi, personi që mua më ka shitur apartamentin mua. E kisha të vështirë ta gjeja veten në këto fakte të KP dhe shkakun që unë lidhem me ata persona”, deklaroi ai.
Pas seancës dëgjimore, prokurori i Krimeve të Rënda, Besnik Muçi, përshëndeti dhe vlerësoi dekretimin nga Presidenti Ilir Meta, për ta bërë gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese. "Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe Presidenti më vlerësuan me një pozicion kaq të rëndësishëm kushtetues, Ju jam mirënjohës. Për momentin jam duke vijuar me korrektesë procesin tim të apelimit në kuadër të procesit të vetingut. Është një proces që vazhdon, po vlerësohet çdo provë nga palët”, theksoi Muçi.

Muçi pas vendimit të KPK-së i dhënë në favor të tij

Kush është Besnik Muçi

Besnik Muçi është diplomuar në vitin 1995 “Jurist”, në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, me rezultate të shkëlqyeshme. Në vitin 2001, Muçi ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës dhe është diplomuar “Magjistrat Prokuror” me rezultat “Shumë mirë”. Ai ka ndjekur studime pasuniversitare për Master të Nivelit të Dytë në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, si dhe aktualisht është Kandidat Doktorant pranë këtij Fakulteti. Ai është botues i disa artikujve shkencor në fushën e së drejtës, si dhe botues i një libri në fushën e veprave penale të narkotikëve. Ka një eksperiencë pune prej më shumë se 20 vitesh (20 vite e 8 muaj), si Prokuror, Avokat dhe Lektor i së Drejtës. Ai ka një veprimtari profesionale si prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, prokuror pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, Drejtor i Drejtorisë kundër Krimit Financiar, në departamentin e Hetimit të Krimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ekspert i programit për trajnimin vazhdues të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shkollën e Magjistraturës, Pedagog i Jashtëm i lëndës “E Drejta Penale”, në një nga Universitetet e vendit. “Besnik Muçi gëzon integritet të lartë moral, etik dhe cilësi të larta profesionale, të cilat janë kërkesa të domosdoshme dhe në koherencë me besimin që kërkon publiku për të qenë anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Ai, përgjatë karrierës së tij ka reflektuar aftësi vendimmarrëse dhe bashkëpunimi”, shprehet Meta në dekretin e tij.

Bllokimi i dyvjeçar i Kushtetueses

Gjykata Kushtetuese nuk funksionon prej vitesh sepse tetë  gjyqtarëve të saj, u shkarkuan nga procesi i Vettingut, ose kanë dhënë dorëheqjen pikërisht për të shmangur Vetingun. E vetmja që i shpëtoi këtij procesi është Vitore Tushaj, e cila edhe pse i ka mbaruar mandati po qëndron ende në detyrë, duke qenë edhe anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Kryetari Bashkim Dedja si dhe anëtarët Fatmir Hoxha, Altina Xhoxhaj, Gani Dizdari dhe Fatos Lulo u shkarkuan nga Vetingu për pasuri të paligjshme, ndërsa Bensik Imeraj, Vladimir Kristo dhe Sokol Berberi dhanë dorëheqjen.

Ish-anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, të larguar nga Vettingu, ose të dorëhequr. Gazeta Si, 16 tetor 2019

Por, shkaku e vonesa ne riemërimet ka qenë edhe mosfunksionimi i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për dy vite radhazi, si dhe për vonesat e tejskajshme të procesit të Vettingut. Gjykata Kushtetuese përbëhet nga nëntë anëtarë, prej të cilëve tre anëtarë emërohen nga Presidenti i Republikës, tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi i Shqipërisë dhe tre anëtarë zgjidhen nga Gjykata e Lartë. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese emërohen për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi. Përbërja e Gjykatës Kushtetuese përtërihet çdo 3 vjet, me një të tretën e saj. Anëtarët e rinj caktohen sipas radhës, përkatësisht nga Presidenti i Republikës, nga Kuvendi dhe nga Gjykata e Lartë. Ky rregull ndiqet edhe në rastet e përfundimit para afatit të mandatit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë