Lajme

Meta me Kokëdhimën: S’ka rëndësi data, të jenë zgjedhje të vlefshme

Presidenti Ilir Meta ka vijuar edhe sot takimet me partitë për datën e re të zgjedhjeve vendore. Ndërkohë që dje priti aleatët e Bashës, pra Grupin e Qendrës së Djathtë, në përbërje të së cilës janë partitë PR, PDK, PAA, PBDNJ dhe LZHK, sot i vetmi që ka pritur ka qenë kreu i partisë Zgjidhja, Koço Kokëdhima.
Kokëdhima mbështet vendimin e presidentit për shtyrjen e datës së zgjedhjeve, pasi këtë gjë e ka shprehur dhe në kongresin e I-ë të partisë Zgjidhja.
Pas takimit me presidentin Meta, në një prononcim për gazetarët, Kokëdhima shprehet se duhet të jemi shumë seriozë përballë rreziqeve që ka vendi jonë në procesin integrues.
“Duhet që Shqipëria të mos ndahet nga Maqedonia në rrugën e integrimit, do ishte fatale për objektivat e vendin tonë. Nuk është thelbësore një datë e re zgjedhjesh, por që zgjedhjet të jenë të vlefshme dhe me standarde demokratike. Nga ky moment t’i hapet rruga një pakti të madh kombëtar që të demokratizohet Shqipëria e shqiptarëve t’ju kthehet sovraniteti që i është grabitur”, shprehet Kokëdhima.
Presidenti Meta i ka bërë ftesë dhe kryetarit të PS Edi Rama për bisedime, sikurse dhe kryetarit të PD Lulzim Basha. Ndërkaq negociatat pritet të vazhdojnë edhe sot me partitë e tjera.
Në takimin e djeshëm në emër të aleatëve foli Dashamir Shehi. Kreu i LZHK-së tha se takimi ishte një hap i vogël në drejtimin e duhur dhe theksoi se data e zgjedhjeve duhet të jetë në bazë të një marrëveshjeje politike mes PS dhe PD.
Po ashtu dje në Presidencë ka shkuar edhe kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo.
Pas takimit, Milo ka dalë kundër zhvillimit të zgjedhjeve të njëanshme. Edhe pse është aleat i PS-së, ai ka qenë kundër zhvillimit të zgjedhjeve pa pjesëmarrjen e opozitës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë