Politike

Meta kundër draftit të PS për Kodin Penal, propozon disa amendime

Në kohën që Parlamenti po diskutonte ndryshimet në Kodin Penal, në kuadër të masave për parandalimin e përhapjes së epidemive dhe pandemive, nga Presidenca doli një deklaratë ku i kërkohet Kuvendit që të tërhiqet nga votimi i këtyre ndryshimeve.

Presidenti Ilir Meta thotë se reagimi është nxitur pas njohjes me përmbajtjen e dokumentit dhe me komentet e Avokaatit të Popullit, institucioneve të tjera shtetërore dhe organizatave e shoqatave të shoqërisë civile.

“Vlerësoj të domosdoshme që përpara se Kuvendi të votojë sot në seancë plenare këtë projektligj, duhet patjetër të mbajë në konsideratë se ndërhyrja në Kodin Penal: duhet të respektojë detyrimet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, si dhe dispozitat kushtetuese që lidhen me procedurën e miratimit dhe parimet e të drejtat themelore të njeriut; duhet të rivlerësohen marzhet e sanksioneve penale, për ta sjellë normën e re në kushte proporcionale me gjendjen aktuale dhe vlerësimin e qeverisë për situatën e pritshme që mund të kalojë vendi”, thuhet në deklaratë.

Meta kërkon që ndryshimet të kenë qartësi, për të mos cenuar parimin e sigurisë juridike në mënyrë që qytetarët të mos mendojnë se mund të jenë subjekt i një procedimi penal në mënyrë të padrejtë. Presidenti thotë se propozimi në fjalë e ka krijuar këtë shqetësim.

“Siç është krijuar tashmë ky shqetësim në mbarë opinionin publik, referuar ky shqetësim edhe nga aktorët që u është marrë mendimi gjatë procesit legjislativ, por dhe duke parë mungesën e qartësisë së propozimeve. Paragrafët e dispozitave të reja, duhet të përcaktojnë qartë elementët e secilës figurë të veprës penale, veçanërisht subjektin, si dhe format e konsumimit të saj, duke bërë dallim të qartë mes dashjes dhe pakujdesisë, si dhe duke treguar kujdes në proporcionalitetin e dënimit në përputhje me pasojat që mund të vijnë”, vijon deklarata.

Presidenti propozon që tek ndryshimet të të saktësohet se një person nuk mund të procedohet penalisht pa u proceduar më parë në rrugë administrative.

“Këto sugjerime paraprake vlerësoj se duhet të konsiderohen nga Kuvendi i Shqipërisë përpara votimit të kësaj nisme të rëndësishme ligjore”, thotë Presidenca.

Bashkëlidhur me këtë letër drejtuar Kuvendit, Presidenti Ilir Meta përçon edhe propozimet sesi duhet të ndryshojë Kodi Penal, ku bie në sy ulja e dënimit me burg nga 15 në 10 vite burg.

Propozimet e Presidentit Ilir Meta

Neni 242/1
Moszbatimi i masave të autoriteteve shtetërore gjatë zbatimit të masave të jashtëzakonshme apo gjendjes së epidemisë

Moszbatimi ose kryerja e veprimeve në kundërshtim me aktet ligjore apo nënligjore të nxjerra nga organet shtetërore, gjatë gjendjes së epidemisë apo gjatë zbatimit të masave të jashtëzakonshme, nga personi ndaj të cilit është dhënë më parë masë administrative dhe pa një shkak të ligjshëm, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj.

Po kjo vepër, kur është kryer në ushtrim të aktivitetit tregtar, duke vendosur në rrezik të shëndetin e njerëzve, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 2 (dy) vite.

Moszbatimi i urdhrit të dhënë nga organet kompetente për karantinimin ose vetizolimin apo shkelja e rregullave të karantinës ose izolimit nga personi mbartës, ose jo i sëmundjes infektive, të cilit i është njoftuar individualisht ky detyrim nga autoritetet përkatëse shëndetësore, dënohet me burgim nga dy deri në tre vjet.

Neni 89/b
Përhapja me dashje e sëmundjeve infektive

Përhapja me dashje e sëmundjes infektive me rrezikshmëri të lartë për shëndetin, nëpërmjet kryerjes së veprimeve apo mosveprimeve nga personi që është diagnostifikuar si mbartës i sëmundjes, dënohet me burgim nga 2 deri në 5 vjet.

Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin ose jetën e njerëzve dënohen me burgim nga 3 deri në 8 vjet.

Kur nga vepra, është shkaktuar vdekja e një ose më shumë personave, dënohet me burgim nga 5 deri në 10 vjet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë