Politike

Meta kthen ligjin për TVSh-në: Trajtim fiskal të diferencuar, shkel Kushtetutën

Pas buxhetit, Presidenti Ilir Meta i kthen Kuvendit për rishqyrtim edhe një prej ndryshimet kryesore të paketës fiskale. Presidenca njoftoi kthimin e ndryshimeve në ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar duke renditur një sërë arsyesh.

Sipas Metës, trajtimi fiskal i diferencuar që aplikon ky ligj, në thelb shkel parime e të drejta themelore kushtetuese.

“Për ilustrim, për subjektet që operojnë në fushën e turizmit argëtues, sportet ujore etj., nuk i është hequr përjashtimi nga TVSH për mjetet lundruese për qëllime turistike dhe argëtim, apo heqja e shkallës së reduktuar për aktivitete dhe sektorë të tjerë. Pra këto subjekte mbeten të favorizuara përmes përjashtimit nga TVSH”, thotë Presidenti.

Kjo do të thotë se, sipas Metës, këto subjekte që operojnë në shitjen dhe tregtimin e mjeteve lundruese ngelen të favorizuara, ndërkohë që sektorë të veçantë të ekonomisë me më shumë nevojë, diferencohen dhe mbahen në presion fiskal të diferencuar dhe jo proporcional me nevojën që dikton mbështetja e tyre.

Meta kritikon edhe rritjen e kufirit të përjashtimit nga TVSh për makineritë dhe pajisjet, duke u shprehur se kjo do të penalizojë fermerët.

“Në përjashtimet e veçanta në import për makineritë dhe pajisjet, kufiri përpara këtyre ndryshimeve ligjore ishte në një vlerë mbi 50 milionë lekë. Ndërsa me ndryshimet ligjore, kemi 10-fishim të vlerës së kufirit minimal mbi të cilën vihet në zbatim përjashtimi përmes këtij ligji. Rritja e këtij kufiri, penalizon dhe rëndon mbi subjekte që zhvillojnë aktivitetin në këtë fushë”, vijon Presidenca.

Sipas Presidencës, përjashtimet nga zbatimi i regjimit ligjor fiskal, në mënyrë të diferencuar, rrezikojnë qëndrueshmërinë e vetë ligjit bazë për tatimin mbi vlerën e shtuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë