Politike

Meta kthen Korporatën: Antikushtetuese! Ligji grabit pronat

Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin e miratuar së fundmi nga mazhoranca që ngre Korporatën e Investimeve Shqiptare. Në arsyetimin e dhënë, Presidenti thotë se ligji në fjalë shkel Kushtetutën.

“Qëllimi i ligjit është i paqartë, subjektiv dhe nxjerrja e kësaj norme të re ligjore është e pajustifikuar objektivisht. Krijimi i një subjekti tregtar nëpërmjet një ligji të veçantë krijon premisa për cenim të “parimit të barazisë përpara ligjit”, “lirisë së veprimtarisë ekonomike dhe nismës së lirë” parime këto që gëzojnë mbrojtje të veçantë nga Kushtetuta”, deklaron Presidenti Meta.

Përveç Kushtetutës, Presidenca thotë se ligji bie ndesh edhe me kuadrin ligjor ekzistues që rregullon funksionimin e korporatave dhe shoqërive tregtare, madje në arsyetimin e kthimit për rishqyrtim, Meta i sugjeron mazhorancës se nuk ishte e nevojshme krijimi i korporatës me një ligj të veçantë, kur ajo mund të ngrihej edhe nga kuadri ligjor ekzistues.

“Referuar përmbajtjes së ligjit “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, rezulton se, Këshilli i Ministrave nëse kishte për qëllim të vetëm krijimin e Korporatës së Investimeve Shqiptare si subjekt tregtar, nuk kishte arsye të nxirrte një ligj të veçantë, por nëpërmjet dispozitave të kuadrit ligjor ekzistues mund të themelonte këtë subjekt të ri dhe ta regjistronte atë si të gjitha subjektet e tjera pranë regjistrit të subjekteve tregtare në Qendrën Kombëtare të Biznesit”, thotë Presidenti.

Për Presidencën, ligji është i pajustifikuar dhe nuk ka për qëllim vetëm krijimim e korporatës, por edhe dhënia e një pozicioni dominues në treg për këtë korporatë.

“Mund të arrihet në vlerësimin logjik se qëllimi real i Këshillit të Ministrave, i pranuar nga Kuvendi, në nxjerrjen e ligjit nuk ka qenë vetëm krijimi i Korporatës së Investimeve Shqiptare si shoqëri tregtare aksionare, por trajtimi i kësaj shoqërie me një legjislacion të veçantë duke i dhënë asaj një karakter dominues në treg dhe duke e veshur atë apriori me pushtet vendimmarrës të njëjtë me atë të një agjencie/institucioni publik shtetëror”, thotë Meta.

Presidenti mendon se përmes këtij ligji, Korporata e Investimeve Shqiptare, edhe pse ngrihet me statusin e një shoqërie aksionare mvishet me mbrojtjen dhe forcën shtrënguese përmes ligjit në fjalë duke cenuar parimet kushtetuese të barazisë para ligjit dhe lirinë e veprimtarisë ekonomike.

Duke u ndalur tek nene të veçanta të ligjit, Meta identifikon nenin 7 të ligjit për Korporatën e Investimeve Shqiptare se bie ndesh me ligjin për vetëqeverisjen vendore. Ky nen përcakton shprehimisht se kur “Korporata identifikon prona shtetërore me interes për të realizuar projekte investimi, i propozon Këshillit të Ministrave, nëpërmjet ministrit përgjegjës për ekonominë, transferimin e tyre te Korporata. Me transferim kuptohet kalimi i së drejtës së përdorimit dhe/ose i së drejtës së pronësisë të pronave shtetërore nga pushteti qendror, ose vendor te Korporata”.

Presidenca vlerëson se neni anashkalon faktin se për pronat që gëzon një njësi e pushtetit lokal, në ligjin për vetëqeverisjen vendore është pushteti vendor ai që vendos për kalimin e pronësisë së pronave që zotëron dhe jo Këshilli i Ministrave. Por, në ligjin për Korporatën kjo nuk merret parasysh.

“Mjafton vetëm fakti që, Korporata të ketë dhe të shfaqë interes për të marrë në pronësi një pronë të caktuar dhe menjëherë nisin procedurat për kalimin e së drejtës së pronësisë në favor të saj, pa marrë në konsideratë as faktin që kjo pronë ndodhet në pronësi të pushtetit vendor dhe pa përfillur vullnetin e këtij pushteti nëse dëshiron ose jo të lejojë transferimin e së drejtës së pronësisë”, thotë Meta.

Presidenti thekson se jo vetëm kaq, por ligji në fjalë vendos në një pozicion pasigurie juridike të theksuar edhe pronat private të fituara me tituj pronësie, ndërsa qortohet edhe fakti që dy sugjerime të Komisionit të Veprimtarive Prodhuese nuk janë reflektuar dhe që ligji nuk ka kaluar për shqyrtim në Komisionin e Ligjeve.

(argumentimi i plotë i Presidentit Ilir Meta për kthimin mbrapsht të ligjit për Korporatën e Investimeve)


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë