Presidenti Ilir Meta e cilësoi si tërësisht artificiale krizën politike dhe institucionale që ka përfshirë Shqipërinë prej muajsh tashmë. Në një intervistë dhënë për RTV21, kreu i shtetit e lidhi krizën e Tiranës me zhvillimet në dialogun Serbi-Kosovë.
“Kjo krizë artificiale në të cilën ndodhet Shqipëria dhe që nuk e meriton populli shqiptar, padyshim që për mendimin tim ka një lidhje edhe me zhvillimet në Kosovë, me dialogun Kosovë-Serbi. Për mua ka qenë dhe mbetet shqetësuese: përse kërkohet patjetër ky konflikt në Shqipëri?! Nuk mund ta teproj ndoshta edhe po të them: përse po kërkohet edhe një gjakderdhje në Shqipëri?!”, deklaroi ai për emisionin satirik “Kojshia Show”.
Presidenti e përjashton veten nga përgjegjësia e krizës. Ai është i bindur se me vendimet e marra, fillimisht për të anuluar 30 qershorin dhe më pas për të dekretuar 13 tetorin si datë zgjedhjesh vendore ka zbatur frymën dhe parimet e Kushtetutës së vendit. E gjithë Kushtetuta e Shqipërisë, thotë Meta, është e ngritur mbi parimin e pluralizmit politik dhe e mundësisë së zgjedhjes për qytetarët, që më 30 qershor mungoi.
Përgjegjës kryesor për krizën bën Kryeministrin Edi Rama, por nuk përjashton as Lulzim Bashën dhe opozitën.
“Pa asnjë diskutim përgjegjësinë kryesore e ka Kryeministri aktual me politikën e tij të qartë për të kontrolluar gjithë pushtetet në vend dhe për të asgjësuar demokracinë, dialogun politik, të drejtat e opozitës dhe të pakicave, lirinë e medias, pavarësinë e gjithë institucioneve të tjera, për të kapur edhe sistemin e ri të drejtësisë për fat të keq. Njëkohësisht nuk mund të mbetet pa përgjegjësi edhe opozita, që në vlerësimin tim ka ndjekur një strategji të gabuar, atë të djegies së mandateve, të mosmarrjes pjesë në zgjedhjet vendore, pra të mosregjistrimit në kohë, por edhe të delegjitimimit të çdo institucioni, ndërkohë që mund të kishte ndjekur një politikë tjetër, atë të paraqitjes së një alternative që mund të ndihmonte në parandalimin e kësaj drame institucionale dhe demokracie që ne sot kemi në vend, ku praktikisht sistemi i llogaridhënies është asgjësuar si në nivel qendror, në parlament, si në nivel vendor”, deklaroi Presidenti.
Meta tha se vetëm zgjedhjet e reja janë zgjidhje dhe sqaroi se çfarë nënkupton ai me “pakicë që nuk njeh rrotacion në pushtet”, të përdorur shpesh kohët e fundit. Presidenti tha se ajo nuk nënkuptonte asnjë parti, fraksion apo individ politik, por persona të fuqishëm të botës së biznesit, ose ata që Lulzim Basha i quan “oligarkë klientë të Ramës”.
“Vetëm përmes tyre mund të rivendoset demokracia në shinat e saj. Po kështu mund të funksionojë një drejtësi e pavarur dhe një ekonomi për të gjithë shqiptarët, jo vetëm për atë që unë e quaj një pakicë që nuk njeh rotacion dhe që përfiton me të gjitha qeveritë, duke bërë ligje të veçanta, për persona të veçantë dhe për interesa të veçanta, në dëm të interesit publik dhe të funksionimit të shtetit të së drejtës”, u shpreh ai.
Sa i takon dialogut Kosovë-Serbi, Presidenti tha se Shqipëria duhet ta mbështesë atë, por jo të ndërhyjë në këtë dialog, apo tema të caktuara të këtij dialogu, duke nënkuptuar këtu edhe çështjen e ndryshimit të kufijve.
“Shqipëria nuk mund të jetë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi! dDalogu me Serbinë është një temë që u takon institucioneve të Kosovës. Çdo ndërhyrje e Shqipërisë në këtë dialog, apo në tema të caktuara të këtij dialogu, praktikisht është një cenim i pavarësisë dhe i legjitimitetit që kanë këto institucione”, u shpreh ai.
Në të njëjtën intervistë, mes profesionit të piktorit si Edi Rama dhe të doktorit si Sali Berisha, Meta zgjodhi atë të doktorit.
“Nuk mendoj se kam ndonjë talent të veçantë në fushën e pikturës. Ndoshta do të kisha dashur të isha inxhinier, do të më pëlqente në fakt. Mes këtyre dy profesioneve do të zgjidhja të bëhesha doktor, sepse shëron dhe ndihmon njerëz”, u përgjigj ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.